Sëmundja e politikës kosovare

Mbase, Coronavirusi do të vjen dhe do të shkojë, por mendësia e mbrapshtë në politikën kosovare do të mbetet. Për Covid-19 do të gjendet vaksina, por jo për këtë politikë të çoroditur.

Opinion

26/02/2020 17:24

Shkruan: Blerim Shala

Nuk është aspak për tu habitur që kryetema dhe kryebrenga e qytetarëve të Kosovës, në ditët e fundit, apo, që prej se Covid-19  (apo Coronavirusi), u paraqit me qindra raste në Italinë veriore, është kjo sëmundje virusale që mund të ketë edhe pasoja fatale.

Nëse dikush ka pas dyshim se a jetojmë ende në një Botë të unifikuar, apo që a është ende Globalizmi drejtimi mbizotërues në Rruzullin tokësor, ky dyshim i tij ka pësuar goditje fatale në ndonjë treg të kafshëve, në një qytet kinez, në nëntor apo dhjetor të vitit të kaluar, ku nisi e tëra, për të mbërri tani në të katër anët e Botës.

Nuk mbahet në mend kur e gjithë Bota është goditur në këtë mënyrë, dhe kur i njëjti kërcënim ka bashkuar qytetarët e shumë shteteve, duke përfshirë këtu edhe Kosovën.

Nuk ka gjë më me vlerë, apo, më themelore, në organizimin e një shoqërie, të një shteti, se sa siguria individuale dhe kolektive. Mungesa e saj zaten, sipas njohësve të politikës, që prej Antikës e këndej, është forca shtytëse e bërjes së një shteti, përmes ‘Kontratës shoqërore’. Humbja e sigurisë kolektive, ka pastaj pasoja largëvajtëse për shoqërinë dhe për shtetin. Pa garantuar këtë siguri, nuk ka gjë prej një shoqërie. Prandaj, vetëm kur ka siguri në një shoqëri dhe në një shtet, mund të ketë organizim të mirëfilltë politik, liri si vlerë politike të shumëllojtë, krijim të pushtetit legjitim, zhvillim ekonomik, stabilitet social, përparim dhe mbarësi të gjithë shoqërisë.

Shëndeti individual dhe publik, është njëri prej elementeve shumë të rëndësishëm të garantimit të sigurisë. Kur rrezikohet ky shëndet, për shkak të epidemive të këtij lloji, të një sëmundjeje të cilës ende nuk i është gjetur ilaçi, ndodhë edhe rrezikimi i sigurisë. Dhe në atë rast, ka frikë, ka pasiguri, ka pakënaqësi, ka dyshim, dhe të gjitha këto madje përhapen më shpejtë se sa vet sëmundja.

Këtë zaten po e kuptojnë qytetarët e të gjithë atyre shteteve që janë goditur nga kjo sëmundje, ndërsa frika dhe shqetësimi, që ka rrezik të merr edhe trajtën e një paniku, po vërehet edhe në shtetet ku ende nuk ka raste pozitive për Covid-19.

Kështu është edhe në Prishtinë dhe në gjithë Kosovën këtyre ditëve.

Duhet të jemi të sinqertë ndaj njeri-tjetrit, dhe të konstatojmë që gjasat që ne, si Kosovë, të mos goditemi fare nga Covid-19, janë kurrfarë, apo të barasvlershme me një mrekulli. E ne me gjasë i kemi harxhuar të gjitha gjasat për mrekulli, pas asaj të pranverës së vitit 1999-të, kur Aleanca Veri-Atlantike ndërmori fushatën ajrore për shpëtimin e një populli.

Pra, është të thuash e pamundur që kjo sëmundje, në një mënyrë apo tjetrën, të mos arrij edhe në Kosovë. Nuk jemi vend i izoluar, zaten.

Në anën tjetër, kur dihet se në çfarë gjendje është shëndetësia publike në Kosovë, nuk mund të presim që ne, si shoqëri e organizuar, do të jemi në gjendje të përballemi si duhet me këtë sëmundje, si dhe me pasojat e përhapjes së saj. Këtë po e thonë edhe autoritetet e shteteve më të fuqishme dhe më të organizuara perëndimore, (e lëre më ne), mbi të gjitha, sepse e tëra kjo dukuri  (që lidhet me këtë sëmundje), bartë në vete shumë të panjohura.

Natyrisht, nuk kemi opsion tjetër, pos që të organizohemi, në mënyrën më të mirë të mundshme, në të gjitha nivelet e institucioneve qendrore dhe lokale, po ashtu, edhe në atë nivelin e familjeve tona, për tu ballafaquar me këtë të keqe të papritur në trajtë të kësaj sëmundjeje.

Qysh tash, natyrisht, në këtë fazën e supozimeve dhe spekulimeve të shumta të cilat shpeshherë të lënë pa mend dhe pa shpresë, thuajse po na vjen Dita e Kijametit, po kuptohet këndejpari se si jemi në gjendje të humbim kohë për gjëra të kota, si politikë dhe si shoqëri.

Për çudi, kjo kotësi ende po vazhdon këtyre ditëve, edhe pse qytetarët e rëndomtë nuk kanë tjetër brengë a tjetër hall, por si t’i shpëtojnë kësaj sëmundje në ardhje e sipër në Kosovë.

Mbase, Coronavirusi do të vjen dhe do të shkojë, por kjo mendësi e mbrapshtë në politikën kosovare do të mbetet.

Për Covid-19 do të gjendet vaksina, por jo për këtë politikë të çoroditur.

Autori është kolumnist i rregullt në Lajmi.net.