Seanca konstituive e Kuvendit të Serbisë- Kush e përbën Listën Studentore?

Seanca konstituive e Kuvendit të ri të Serbisë pritet të nisë në orën 10:00. Për herë të parë, në ulëset e tij do të jenë deputetët e Listës Studentore, e cila fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit. Lista Studentore siguroi 140 mandate, ndërsa lista “Serbia e Bashkuar”, e udhëhequr nga Partia Përparimtare Serbe…

Lajme

17/11/2026 08:42

Seanca konstituive e Kuvendit të ri të Serbisë pritet të nisë në orën 10:00.

Për herë të parë, në ulëset e tij do të jenë deputetët e Listës Studentore, e cila fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit.

Lista Studentore siguroi 140 mandate, ndërsa lista “Serbia e Bashkuar”, e udhëhequr nga Partia Përparimtare Serbe (SNS), fitoi 103. Pas 14 vjetësh në pushtet, SNS-ja kalon në opozitë.

Në Kuvend do të përfaqësohen edhe partitë e pakicave. Koalicioni Shqiptar dhe Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës kanë nga dy mandate, ndërsa nga një mandat kanë lista “Njerëzisht” e Rasim Lajiqit, “Lëvizja për Bashkim” e Usame Zukorliqit dhe “SDA – Ruajtësit e Sanxhakut”.

Në rendin e ditës janë gjashtë pika: verifikimi i mandateve të deputetëve, zgjedhja e kryetarit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit, emërimi i sekretarit të përgjithshëm, si dhe zgjedhja e anëtarëve të trupave punues të Kuvendit dhe e delegacioneve të përhershme parlamentare në institucionet ndërkombëtare. Emrat e kandidatëve për kryetar dhe nënkryetarë ende nuk janë bërë publikë.

Studentët kanë ftuar qytetarët të mblidhen në Parkun e Pionierëve, për t’i përcjellë së bashku përfaqësuesit e Listës Studentore drejt Kuvendit.
Lista Studentore ka në radhët e saj shumë profesorë universitarë dhe ekspertë të fushave të ndryshme. Ajo doli nga lëvizja studentore që për dy vjet udhëhoqi protesta masive kundër pushtetit në Serbi, duke kërkuar llogaridhënie për shembjen e strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, më 1 nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona.

Programi i saj përqendrohet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pavarësinë e gjyqësorit dhe prokurorisë, si dhe lirinë e medias.

Nebojsha Vladisavleviq, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, i tha Radios Evropa e Lirë se përvoja profesionale e deputetëve të rinj do të ndikojë edhe në punën e Kuvendit.

“Lista Studentore është një listë e mbështetur te ekspertët, një lloj liste teknokratike, me shumë doktorë shkencash dhe profesorë universitarë”, tha ai.

Sipas tij, qytetarët ishin dukshëm të pakënaqur me mënyrën se si kishin vepruar politikanët me përvojë të opozitës.

Politologu Dushko Radosavleviq vlerëson se ekspertiza e deputetëve të Listës Studentore mund të ndihmojë në hartimin e ligjeve më të mira.

“Kur të debatohen ligje me rëndësi, qoftë për arsimin, shëndetësinë apo bujqësinë, do të ketë shumë njerëz që i kuptojnë vërtet këto çështje”, tha ai.