​Federata Ndërkombëtare e Xhudos zgjedh Kosovën për programin Sakura Judo, synon fuqizimin e grave në sport

Kosova është përzgjedhur nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IJF) për organizimin e edicionit evropian të programit “Sakura Judo”, një nismë që synon fuqizimin e grave dhe vajzave në sport, duke krijuar më shumë mundësi për përfshirjen e tyre në pozita udhëheqëse dhe profesionale. Sipas IJF-së, përzgjedhja e Kosovës është bërë për shkak të rezultateve të…

Sport

17/11/2026 08:33

Kosova është përzgjedhur nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IJF) për organizimin e edicionit evropian të programit “Sakura Judo”, një nismë që synon fuqizimin e grave dhe vajzave në sport, duke krijuar më shumë mundësi për përfshirjen e tyre në pozita udhëheqëse dhe profesionale.

Sipas IJF-së, përzgjedhja e Kosovës është bërë për shkak të rezultateve të jashtëzakonshme në xhudon e grave, por edhe për numrin e madh të grave që tashmë janë të përfshira në këtë sport dhe në role të ndryshme rreth tij.

“Kosova u dallua për rezultatet e saj të jashtëzakonshme në xhudon e grave dhe për numrin e grave që ishin tashmë të përfshira në këtë sport dhe në role të lidhura me të”, tha Larisa Kiss, drejtoreshë e Lojërave Olimpike dhe Lëvizjes Olimpike për Xhudon në IJF, e cila udhëheq programin “Sakura Judo”.

Ajo theksoi se synimi është të mbështetet zhvillimi i mëtejshëm i xhudos së grave dhe të krijohen mundësi që më shumë gra të përfshihen në aktivitete dhe profesione të ndryshme që lidhen me këtë sport.

Kosova është një shembull i veçantë në këtë drejtim, pasi Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi kanë fituar medalje të arta olimpike, ndërsa Laura Fazliu ka siguruar medalje të bronztë. Sukseset e tyre kanë ndikuar në rritjen e interesimit të vajzave për xhudon dhe kanë dëshmuar se gratë mund të arrijnë majat e këtij sporti.

Përtej garave dhe rezultateve, programi synon të hapë rrugë të reja për gratë në trajneri, arbitër, administrim të federatave, menaxhim sportiv, arsim dhe media. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe orientimit dhe mentorimit të sportisteve që, pas përfundimit të karrierës aktive, dëshirojnë të vazhdojnë kontributin e tyre në sport.

Gjatë ditëve të programit, sportistet, trajneret dhe gjyqtaret do të bashkëpunojnë me përfaqësuese të Komitetit Olimpik të Kosovës, federatave sportive, institucioneve publike dhe mediave, si dhe me profesioniste nga fusha e psikologjisë sportive dhe të drejtave të njeriut.

Në mesin e ligjërueseve dhe kontribuueseve do të jenë edhe kampionet olimpike Majlinda Kelmendi dhe Distria Krasniqi, si dhe medalistja olimpike Laura Fazliu. Programi do të trajtojë tema si lidershipi, komunikimi, vetëbesimi, zhvillimi personal dhe vetëmbrojtja.

Përmes kësaj nisme, IJF dhe organizatorët synojnë që ndikimi i grave në xhudo të mos kufizohet vetëm në rezultatet sportive, por të shtrihet edhe në drejtimin, zhvillimin dhe të ardhmen e sportit.