S’do marrin pjesë në zgjedhje, vetëm Beogradi ua ndryshon qëndrimin
Serbët e veriut kanë marrë vendim të bojkotojnë zgjedhjet e 8 qershorit. Vendimin e tyre mund ta ndryshojë vetëm Beogradi, kanë thënë zyrtarë të partive politike të kësaj pjese të Kosovës.
Lajme
Serbët e veriut kanë ngrirë fushatën dhe të gjitha aktivitetet zgjedhore për shkak të pakënaqësisë së tyre me disa vendime të KQZ-së, dhe deri tani nuk dihet nëse ata do të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të Kosovës që do të mbahen të dielën.
Shqetësimet e veriorëve kanë të bëjë kryesisht me simbolet e Republikës së Kosovës nëpër fletvotime, numrin e votuesve jashtë Kosovës, ndarjen e ulëseve të garantuara apo edhe me përbërjet e këshillave të zgjedhjeve nëpër mjediset e banuara me shumicë serbe.
Burime të Kosovapress-it nga veriu, bëjnë të ditur se vendimi i prerë për mos pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje është marrë në një takim mes krerëve politikë lokalë të veriut që është mbajtur të shtunën pasdite në veri të Mitrovicës.
“Jemi shumë të vendosur të mos dalim në zgjedhje, pavarësisht pasojave”, citojnë burimet të ketë thënë njëri nga protagonistët e takimit, duke shtuar se këtë vendim mund ta ndryshojë vetëm Beogradi.
Në anën tjetër, Qeveria e Serbisë akoma nuk është deklaruar zyrtarisht rreth pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhjet parlamentare të Kosovës që do të mbahen më 8 qershor, mirëpo konsideron se duhet të plotësohen të gjitha kushtet për pjesëmarrjen e tyre në këto zgjedhje.