Santo i telefonoi Tahirit 10 minuta para vrasjes

Gazeta “Rilindja Demokratike”, organ i PD-së, hedh akuza në drejtim të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, për mosreagim konform përgjegjësive të tij si i pari i policisë së shtetit. Kjo gazetë shkruan se vetëm 10 minuta para se të ekzekutohej, biznesmeni Artan Santo kishte telefonuar ministrin Tahiri, por ai nuk i kishte hapur telefonin. 

Lajme

28/06/2014 17:29

Ministri nuk i ka hapur telefonin dhe njerëz të medias që kanë qenë në ato momente me Tahirin konfirmojnë se vetëm pak pas asaj telefonate ka mbërritur edhe lajmi për vrasjen e Santos. Se cila do të ishte kërkesa e fundit e Santos ndaj një ministri të kësaj qeverie, kjo tashmë mund të merret lehtësisht me mend. Biznesmeni do të kërkonte direkt ndihmën e ministrit për motorin që e ndiqte prej disa javësh dhe që ditën e pardjeshme kishte shpeshtuar parakalimet rreth banesës së Santos dhe rrugëve të mundshme, ku ai do të kalonte. 

Në fakt, Tahiri ka qenë mjaft i zënë në ato momente. Ai kishte shtruar një kokteil me gazetarët, ku po i paraqiste atyre suksesin që ai kishte korrur në luftën imagjinare në Lazarat prej nga ku u arrestuan fshatarët dhe u la korridor të lirë për largimin e kapove të trafikut të drogës. Mos realizimi i telefonatës së fundit të Santos ka rezultuar tragjike për jetën e tij. Katër plumbat e vrasësve profesionitë i kanë marrë jetën. 

Gazetarët e pritshëm në koktelin e ministrit pohojnë se, janë njoftuar menjëherë për atentatin ndaj Santos. Ata kanë qenë më shumë të përgjegjshëm për përgjegjësinë e detyrës që kishin për të mbuluar këtë ngjarje edhe se vetë ministri. Ata kanë brakstisur kokteilin për t’u përqendruar tek atentati. Po ministri çfarë ka bërë? 

Ministri rezulton të mos ketë bërë asnjë nga detyrat imediate që do të bënte çdo ministër i Brendshëm në një ngjarje të tillë. Asnjë masë e marrë nga ai dhe vartësit e tij nuk është marrë për të ndaluar në mënyrë të menjëhershme vrasësit. Përkundrazi, vrasësve u është dhënë koha e nevojshme që ata të largohen.  

Si është e mundur që ministri, pasi nuk i hap telefonin një nga njerëzit më të rëndësishëm të botës së biznesit, merr informacionin e vrasjes së tij 10 minuta më vonë dhe nuk merr asnjë masë për të bllokuar të gjitha hyrje-daljet e kryeqytetit në mënyrë që të bllokoheshin vrasësit. Si është e mundur që dy njerëz që kanë kryer vrasjen në zemrën e qendrës financiare dhe politikën të vendit, sikurse raporton agjencia italiane  e lajmeve, ANSA, kalojnë lirisht përmes rrugëve kryesore të Tiranës dhe autostradës Tiranë-Durrës, pa u ndaluar nga asnjë forcë policore.

Si është e mundur që ky ministër nuk ngriti asnjë postbllok policor për ndalimin e vrasësve edhe 1 orë pas vrasjes së Santos?

Si është e mundur që në drejtim të dy vrasësve profesionitë shkon vetëm një polic rrugor dhe nuk mbështetet nga asnjë prej efektivëve të policisë dhe prej asnjë nga strukturat e posaçme si FNSH apo RENEA?

Të gjitha këto pyetje kanë një përgjigje të vetme; Tahiri i ka dhënë kohë vrasësve që ata të largohen. Se përse e ka bërë këtë, kjo duhet të jetë një nga çështjet e hetimit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Mos eficenca dhe përgjumja e policisë në këtë vrasje që tronditi vendin nuk është rastësi, por e koordinuar mjaft mirë nga Tahiri dhe Didi. Se çfarë interesash kriminale dhe mafioze të Tahirit fshihen në vrasjen e biznesmenit Santo, kjo do të zbardhet hap pas hapi.

Vrasja e Santos ka tronditur jo vetëm shqiptarët, por edhe mediat ndërkombëtare, të cilat nuk arrijnë po ashtu të kuptojë se si vrasësit të mos kapen kur kryejnë një atentet në vendin që duhet të kishte sigurinë më të lartë? 

Motori pranë banesës 50 minuta para ngjarjes

 

Dje u shfaq në Tv “News 24” një tjetër sekuencë filmike, e cila lidhet me vrasjen e biznesmenit Artan Santo. Në pamjet e regjistruara në orën 08:20 minuta të mëngjesit të së enjtes, evidentohen dy atentatorët që lëvizin të pashqetësuar nga rruga “Papa Gjon Pali i dytë” drejt rrugës “Asim Zeneli”, pra, një rrugicë ngjitur me shtëpinë e Artan Santos. Pra rreth 51 minuta para ngjarjes, dy personat kanë mbajtur nën vëzhgim zonën përreth banesës së 58-vjeçarit. 

Kamera e sigurisë ka arritur t`i fiksojë para atentatit dhe pesë herë të tjera autorët që lëviznin me motorin tip Suzuki V-Storm 650 kubikësh. Përkatësisht në orën 08:20 minuta, 08:25 minuta, 08:27 minuta, 09:07 minuta dhe 09:09 minuta. Më pas, në orën 09:11 minuta atentatorët kanë dalë tek kryqëzimi tek RTSH dhe kanë pritur për disa sekonda derisa mjeti me të cilin udhëtonte Santo të nisej për në destinacion. 

Atentatorët e kanë ndjekur duke i qëndruar në distancë të afërt prej tre metrash dhe në kryqëzimin pranë Kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ndërsa rreth orës 09:15 minuta kur Artan Santo ka zbritur nga mjeti është qëlluar 6 herë me pistoletë,  duke mbetur i vdekur në vend./Rilindja Demokratike/