Sami Lushtaku reagon për takimin Hamza-Kurti, ka një koment për qëndrimin e kryetarit të partisë së tij (VIDEO)

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Sami Lushtaku, ka reaguar pas takimit të zhvilluar ndërmjet kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për konsultimet rreth krijimit të institucioneve të reja. Përmes një reagimi publik, Lushtaku e ka falënderuar Hamzën për, siç është shprehur ai, “qëndrimin dinjitoz” në takimin me…

Lajme

10/07/2026 15:54

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Sami Lushtaku, ka reaguar pas takimit të zhvilluar ndërmjet kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për konsultimet rreth krijimit të institucioneve të reja.

Përmes një reagimi publik, Lushtaku e ka falënderuar Hamzën për, siç është shprehur ai, “qëndrimin dinjitoz” në takimin me Kurtin, transmeton lajmi.net.

Ai ka ritheksuar gjithashtu qëndrimin e tij të mëhershëm se nuk do të mbështeste një koalicion mes PDK-së dhe Vetëvendosjes.

“Vazhdoj t’i qëndroj prapa deklaratës sime se, nëse PDK bën koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, jap dorëheqje”, ka deklaruar Lushtaku.

Reagimi i tij vjen pasi takimi mes Kurtit dhe Hamzës përfundoi pa ndonjë marrëveshje konkrete. Pas bisedës, Hamza bëri të ditur se PDK-ja mbetet në qëndrimin e saj për të qenë në opozitë, duke i uruar sukses Kurtit në përpjekjet për formimin e institucioneve të reja.

Nga ana tjetër, Kurti e cilësoi takimin si konstruktiv, por pranoi se nuk kishte rezultat konkret, ndërsa paralajmëroi vazhdimin e konsultimeve me subjektet e tjera politike, përfshirë Lidhjen Demokratike të Kosovës./lajmi.net/