Sallahu: Vendi nuk shkon në zgjedhje nëse Presidenti nuk zgjidhet deri më 4 mars, për shkak të mospjesëmarrjes së deputetëve

Ish u.d i ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu ka dhënë sqarime në lidhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese K029/11, për zgjedhjen e Presidentit. Ai ka thënë se vendi nuk shkon në zgjedhje nëse nuk zgjedhet Presidenti me 4 mars 2026, për shkak të mospjesëmarrjes së deputetëve në seancë plenare dhe në votim në tri raundet…

Lajme

01/03/2026 17:19

Ish u.d i ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu ka dhënë sqarime në lidhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese K029/11, për zgjedhjen e Presidentit.

Ai ka thënë se vendi nuk shkon në zgjedhje nëse nuk zgjedhet Presidenti me 4 mars 2026, për shkak të mospjesëmarrjes së deputetëve në seancë plenare dhe në votim në tri raundet e përcaktuara kushtetuese.

“Në zgjedhje shkohet vetëm nëse pas ezaurimit të tri votimeve asnjëri kandidatë për President në dy votimet e para nuk ka marrë së paku 80 vota dhe në votimin e tretë, së paku 61 vota. Ndryshe, nëse zgjedhet Presidenti pas 4 marsit 2026, mbi bazën e numrit të votave sipas nenit 86 të Kushtetutës, atëherë zgjedhja e tij, sipas po të njëjtit nen është kundërkushtetuese”, ka shkruar Sallahu.

Ai ka thënë që për të “parandaluar papërgjegjësinë e deputetëve” që nuk marrin pjesë dhe nuk votojnë në seacë plenare, duke cenuar aktgjykimet e mëhershme lidhur me obligimin e tyre në votim, atëherë posa të fillojë procedura e zgjedhjes së Presidentit, procesi i zgjedhjes së Presidentit duhet të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese, me kërkesën për masë të përkohshme në mënyrë që afati për zgjedhjen e Presidentit të vendit të Pezullohet!

“Gjykata Kushtetuese nuk ka asnjë alternativë tjetër veçse t’i obligojë edhe njëherë deputetët që të qëndrojnë në sallë dhe të votojnë për kundër apo abstenim duke ju referuar aktgjykimeve të mëparshme, konkretisht aktgjykimit KO 193/25 dhe KO-196/25, të bazuar edhe në Opinionin e Komisionit të Venecias CDL-AD(2017)003”, ka shkruar Sallahu. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: