Saga e pronës që i mori jetën gjyqtarit Astrit Kalaja në Tiranë, 30 vite procese e përplasje institucionale

Konflikti për një pronë në Shkodër, që çoi në vrasjen e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit në Tiranë Astrit Kalaja, është një histori e gjatë dhe e ndërlikuar gjyqësore që zgjatet prej gati tre dekadash. Gjithçka nis në vitin 1996, kur Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave i njeh familjes Shkambi pronësinë mbi një…

Lajme

07/10/2025 17:51

Konflikti për një pronë në Shkodër, që çoi në vrasjen e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit në Tiranë Astrit Kalaja, është një histori e gjatë dhe e ndërlikuar gjyqësore që zgjatet prej gati tre dekadash.

Gjithçka nis në vitin 1996, kur Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave i njeh familjes Shkambi pronësinë mbi një truall prej 4053 m² në lagjen “Skënderbeg” të Shkodrës, hapësirë ku gjatë komunizmit ishte ndërtuar ish-shkolla e Rezervave dhe ku, pas viteve ’90, Bashkia kishte strehuar mbi 30 familje të pastreha.

Në vitin 2002, vendimet gjyqësore fillojnë të përplasen: njëra i njeh familjes Shkambi të drejtën e pronësisë, tjetra i cilëson banorët si “zotërues pa leje dhe me forcë”. Në vitin 2010, Gjykata e Apelit Shkodër urdhëron ekzekutimin e vendimit të 2002-shit, ndërsa në 2012 familja Shkambi blen godinën me kontratë nga Ministria e Financave.

Pas këtij momenti, nis një seri vendimesh të kundërta midis gjykatave dhe Zyrës së Përmbarimit. Në tetor 2022, Përmbarimi vendos lirimin e detyrueshëm të godinës, ndërsa banorët reagojnë duke e quajtur ekzekutimin të paligjshëm. Në nëntor 2022, Gjykata e Shkodrës I jep të drejtë familjes Shkambi, vendim që merr formë të prerë në janar 2023.

Por proceset nuk ndalen. Në korrik 2024, një tjetër vendim i Gjykatës së Shkodrës i jep të drejtë banorëve dhe lë në fuqi pezullimin e ekzekutimit, duke argumentuar se përmbaruesi nuk mund të interpretojë vetë vendimet pa një titull ekzekutiv të qartë.

Kjo përplasje e pafund midis familjes Shkambi, banorëve dhe institucioneve përfundoi tragjikisht më 6 tetor 2025, në sallën e Gjykatës së Apelit të Tiranës, kur nipi i Gjon Shkambit vrau gjyqtarin Astrit Kalaja, gjatë një seance që kishte në thelb një tjetër episod të kësaj sage pronësore.