Sa është e rëndësishme vizita e Osmani në SHBA?
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani po qëndron në Uashington me ftesë të një grupi kongresistësh amerikanë, për të marrë pjesë në Lutjet Nacionale të Mëngjesit. Njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare e shohin pozitive vizitën e sa në SHBA edhe pse, sipas tyre, Lutjet e Mëngjesi “nuk kanë ndonjë rëndësi të madhe”. Lutjet e Mëngjesit mbahen çdo…
![](https://lajmi.net/wp-content/uploads/2025/02/96121738861405.jpg)
Lajme
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani po qëndron në Uashington me ftesë të një grupi kongresistësh amerikanë, për të marrë pjesë në Lutjet Nacionale të Mëngjesit. Njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare e shohin pozitive vizitën e sa në SHBA edhe pse, sipas tyre, Lutjet e Mëngjesi “nuk kanë ndonjë rëndësi të madhe”.
Lutjet e Mëngjesit mbahen çdo vit, të enjten e parë të shkurtit, dhe marrin pjesë politikanë të lartë amerikanë dhe mysafirë të huaj.
Profesori universitar, Dritëro Arifi thotë se pas ndërrimit të administratës amerikane çdo vizitë në Uashington është pozitive. Por sipas tij, vetë Osmani është pjesë e “deformimit të raporteve me SHBA-në”.
“E dimë se [raportet] janë në pikën më të ultë në historinë e Kosovës edhe pse presidentja për fat të keq është pjesë e këtij deformimi të raporteve. Na kujtohet fillimi i lumturisë Vetëvendosje dhe presidentes dhe kur ato raporte u dëmtuan, mandej ju kujtua që raportet nuk qenkan të mira. Sidoqoftë më mirë vonë se kurrë, po shpresojmë që ato takime të prodhojnë diçka konkrete. Por duke ditur që fuqinë vendimmarrëse për çdo marrëveshje e ka qeveria, presidenca do të jetë në këtë rast e gjymtuar në këtë aspekt, do të ketë shumë pak influencë për të ndërtuar diçka”, thotë ai.
Sipas Arifit, Lutjet Nacionale të Mëngjesit nuk kanë rëndësi të madhe.
“Lutjet e Mëngjesit janë më shumë çështje sekondare se sa kanë rëndësinë e madhe. Por prezenca jonë në ato evenimente për neve është shumë me rëndësi, ku mund të kemi takime shumë të rëndësishme të niveleve të ndryshme. Përfaqësimin e Kosovës po besoj presidentja e bënë shumë mirë, por kjo mbetet shumë në rrafsh teorik, në aspektin praktik ne kemi bërë jashtëzakonisht shumë dëme këtyre raporteve Kosovë-ShBA për shkak se nuk i kemi bashkërenduar politikat tona ato të brendshme ku na është kërkuar një lloj koordinimi. Ne jemi tallur me fjalën ‘koordinim’ dhe pasojat do i vuajmë”, shton ai për KosovaPress.
Në Uashington, Osmani takoi edhe Ndihmës Sekretarin e Shtetit në detyrë, Louis Bono.
Jeta Loshaj nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) thotë se në këtë ngjarje Kosova u përfaqësua nga niveli më i lartë i vendit.
“I bie që Kosova vazhdon të jetë aleat i besueshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shkak se ka shumë të panjohura, ka shumë paparashikueshmëri sa i përket zhvillimeve botërore. Ne vetë do të kemi zgjedhje dhe nuk dihet se çfarë qeverie do të kemi për katër vjet e ardhshme. Por edhe në SHBA është ndërruar administrata dhe ne nuk mund të presim që gjithmonë Shtetet e Bashkuara të Amerikës të kenë Kosovën apo këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor prioritet. Dhe me aq sa kemi parë në administratën e re të SHBA-së, presidenti i ri Trump ka lajmëruar disa vendime të reja që tregojnë se do të ketë prioritete tjera. Kështu që nuk i dihet nëse Kosova apo rajoni i Ballkanit Perëndimor apo e gjithë Evropa Juglindore do të jenë në agjendën e ShBA-ve”, përfundon Loshaj.
Për “rrugëtimin e popullit të Kosovës nga sfidat më të mëdha deri te arritjet e sotme”, Osmani ka folur në Forumin Ndërparlamentar të Sigurisë.
Aty, nga Shqipëria morën pjesë deputeti Damian Gjiknuri dhe ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, ndërkaq, nga Serbia ish-kryeparlamentari Vladimir Marinkovic.
Në anën tjetër, Osmani nuk mori pjesë në inaugurimin e presidentit amerikan, Donald Trump, dy javë më parë.
Ajo tha se ka vepruar njëjtë si shumë liderë botërorë të cilët kanë pasur ftesë, por kanë autorizuar nivel më të ulët të përfaqësimit.