​RTK pa paga, pa buxhet, pa bord dhe me u.d në shumë pozita, nesër protestohet

Radio Televizioni i Kosovës po funksionon pa një bord funksional, pa paga dhe me ushtrues detyre në shumë pozita, përfshirë edhe atë të drejtorit të përgjithshëm, gjë qëpo ndikon negativisht si në procesin e prodhimit të programeve, ashtu edhe në sigurimin e financimit të nevojshëm për funksionim. Rreth 700 punëtorë të Radio Televizionit të Kosovës…

Lajme

05/08/2025 16:49

Radio Televizioni i Kosovës po funksionon pa një bord funksional, pa paga dhe me ushtrues detyre në shumë pozita, përfshirë edhe atë të drejtorit të përgjithshëm, gjë qëpo ndikon negativisht si në procesin e prodhimit të programeve, ashtu edhe në sigurimin e financimit të nevojshëm për funksionim.

Rreth 700 punëtorë të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) kanë mbetur pa paga, ndonëse 5 gushti është dita e fundit kur atyre do të duhej t’iu alokoheshin mjetet për muajin korrik. Mos konstituimi i Kuvendit të Kosovës konsiderohet të jetë ndër arsyet kryesore që ka shkaktuar këtë ngërç financiar për mediumin publik.

Si rrjedhojë e kësaj, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) do të mbajë nesër, më 6 gusht, protestë në sheshin “Ibrahim Rugova”, në Prishtinë. Ata thonë se do të kërkojnë përgjegjësi për situatën e krijuar, derisa potencojnë se qeveria aktuale mund të ofrojë zgjidhje të problemit, duke marrë model vendimin e qeverisë së vitit 2021.

RTK-së do të duhej t’i alokoheshin mjetet për gjysmën e dytë të vitit 2025 nga muaji korrik, nga Kuvendi përmes Komisionit për Buxhet dhe Transfere, por në mungesë të konstituimit, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Përveç kësaj, mediumi publik RTK po funksionon pa një bord funksional dhe me një ushtrues detyre në pozicionin e drejtorit të përgjithshëm, e që sipas SPERTK-së, po ndikon negativisht si në procesin e prodhimit të programeve, ashtu edhe në sigurimin e financimit të nevojshëm për funksionim.

Para katër vitesh, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme, qeveria në detyrë e udhëhequr nga ish-kryeministri Avdullah Hoti, kishte marrë vendim për alokimin e buxhetit për RTK-në, sipas Ligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2021.

Në atë vendim ishin përfshirë edhe pika 3 dhe 4, të cilat e obligojnë Thesarin të bëjë përshtatjet e nevojshme sipas vendimit të Komisionit Parlamentar për Buxhet, që merret pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Ndërkaq, deri më tani nuk ka asnjë vendim apo hap të ndërmarrë nga Qeveria e Kosovë lidhur me këtë situatë.

Kryetari i Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK), Gëzim Bimbashi tregon se nesër nga ora 11:00 do të mbahet protesta e cila ka për qëllim mbrojtjen e televizionit publik dhe alokimin e mjeteve që u takojnë me ligj.

Bimbashi për KosovaPress, thotë se Sindikata e RTK-së, ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të realizuar takime me akterët institucionalë që janë përgjegjës për transmetuesin publik, por deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje konkrete.

“Qëndrimi i Sindikatës tonë nuk ka lëvizur. Ne protestojmë nesër në orën 11:00 në sheshin Ibrahim Rugova, mes qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës…Protesta jonë nuk ka ngjyrime politike, nuk ka pasur, nuk do të ketë ngjyrime politike. Protesta jonë i ka dy qëllime: mbrojtja e televizionit publik, kthimi, alokimi i mjeteve që na takojnë me ligj. Nuk po kërkojmë mëshirë, vetëm po kërkojmë gjëra ligjore…Përderisa RTK nuk ka ligj të ri, nuk ka pronë të veten, në objektet ku jemi tash nuk janë pronë e RTK-së. Kushtet janë të tmerrshme, mbështetja siç duket nuk është duke u marrë dikush seriozisht, të paktën ne nuk kemi informacione. Kemi bërë përpjekje të mëdha. Iu kemi shkruar të gjithë akterëve që janë përgjegjës për mediumin publik duke kërkuar takime. Deri tani jemi në pritje. Nuk kanë thënë ‘jo nuk iu takojmë, por kanë thënë prisni’”, thotë Bimbashi.

Bimbashi bën të ditur se për shkak të mos konstituimit të Kuvendit, RTK-ja ka mbetur në këtë situatë. Sipas tij, mediumi publik nuk mund të paguajë as faturat e energjisë elektrike, për çka thotë se edhe mund t’iu ndërpritet rryma.

Ai përmend se një situatë të ngjashme RTK e kishte edhe para pak vitesh, porse me një vendim të qeverisë së asaj kohe është zgjidhur ngërçi.

“Përderisa nuk kemi Kuvend të Kosovës, e kemi problem këtë pjesën për alokim të buxhetit, sepse me ligjin për Buxhetin, Komisioni për Buxhet dhe Transfere, i krijuar nga Kuvendi i Kosovës, është ai organ i cili duhet çdo gjashtë muaj neve të na alokojë mjetet. Në mungesë të konstituimit të kuvendit, RTK-ja ka mbetur në këtë situatë. Por, kemi pasur praktika të mëhershme të vitit 2021, ka qenë qeveria tjetër, nuk dua të bëjë paralele, por ka pasur vullnet për zgjidhje të ngërçit me të cilën zgjidhet televizioni publik sot. Është marrë një vendim dhe është zgjidhur ky ngërç. Paramendojeni në çfarë situate është RTK-ja sot. Nuk ka mundësi t’i paguajë faturat e energjisë elektrike. Për një moment ta ndërpren energjinë KEDS-i. Nuk është vullnet i punëtorëve”, potencon Bimbashi.

Për këtë situatë ka reaguar edhe ish-kryeministri, tashmë deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti. Ai thotë se RTK-ja nuk duhet të mbetet pa buxhet, pavarësisht se Kuvendi i Kosovës nuk është funksional.

“Në mungesë të Kuvendit funksional, zgjidhja ligjore për alokimin e përkohshëm të buxhetit mund të bëhet sipas praktikave të mëparshme. Në prag të zgjedhjeve të përgjithshme në vitin 2021, si Qeveri në detyrë patëm marrë vendim më 27.01.2021 për alokimin e buxhetit për RTK-në, sipas Ligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2021. Ky vendim është publik në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. Në atë vendim janë përfshirë edhe pika 3 dhe pika 4, të cilat e obligojnë Thesarin të bëjë përshtatjet e nevojshme sipas vendimit të Komisionit Parlamentar për Buxhet, që merret pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Zyrtarët ligjorë të Qeverisë së atëhershme dhe këshilltarët ligjorë të Kryeministrit e kishin plotësuar këtë vendim edhe me arsyetimin përkatës, në mënyrë që secili që e lexon këtë vendim të kuptojë rrethanat në të cilat është marrë ai. Kështu që, alokimi i përkohshëm është plotësisht i mundshëm, dhe ky nuk duhet të jetë problemi i RTK-së”, ka shkruar ndër të tjera Hoti në rrjetin social Facebook.

Krahas kësaj, Bimbashi thotë se qeveria aktuale mund të thirret në modelin e qeverisë së vitit 2021 dhe të tejkalohet ky ngërç financiar.

Siç thotë ai protesta e 6 gushtit është vetëm pikënisje për të shprehur pakënaqësitë dhe për të kërkuar të drejtat e punëtorëve të RTK-së.

Ai paralajmëron se protesta në të ardhmen mund të mbahet edhe brenda objektit të RTK-së.

“Nesër do t’i bëjmë pikat të cilat do t’i ndërmarrim, kjo është vetën fillimi i kësaj proteste. por, protesta do të ndryshojë…Një prej detajeve mund të jetë që protesta të organizohet brenda RTK-së. Shpresojmë që mos të vije deri aty…Ne do të konsultohemi me këshilltarë ligjor për të parë se çka mundemi të veprojmë që të bëjmë presion që të kthehet buxheti i RTK-së. Nuk guxoj të them që mund të hyjmë në grevë apo mund ta ndërprejmë programin, pa u konsultuar ligjërisht…Qeveria a mund të bëjë diçka në këtë rast? Po mundet, vetëm thirret në modelin e vitit 2021. Në edicion qendror kanë dalur jurist të mediave dhe kanë dhënë sqarimet e tyre ligjor. Nuk mund të ketë shkelje ligjore nëse veprohet si në vitin 2021”, tregon Bimbashi.

Ndër të tjera, Bimbashi potencon se mungesa e bordit të RTK-së dhe fakti që shumica e pozitave janë më ushtrues detyre po ndikon negativisht në prodhim dhe sigurim të financimit.

“Duke parë mungesën e bordit, ndoshta hendeku është thelluar edhe më shumë…Bordi është jofunksional sepse është jo i plotë. Shumica e posteve janë me ushtrues detyre, vetëm një post është i rregullt. Këto ndikojnë edhe në prodhim, edhe në sigurim të financimit. Mungesa e konstituimi të kuvendit ka lënë shumë telashe të mëdha në RTK”, thotë Bimbashi.

Ai u bëri thirrje të gjitha mediumeve që të marrin pjesë dhe ta përkrahin protestën e thirrur më 6 gusht.

Ndërkohë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja i ka thënë KP-së, se vitin e kaluar në kuadër të Ligjit për Buxhet, kanë miratuar buxhetin vjetor dhe në këtë kuadër kanë alokuar edhe buxhetin për RTK-në.

“Në kuadër të Ligjit, duhet të jetë Neni 18, parashihet që Komisioni për Buxhet të bëjë alokimin e mjeteve çdo 6 muaj pas raportimit të shpenzimeve. Aktualisht Kuvendi nuk ka arritur të konstituohet dhe në mungesë Komisioni për Buxhet nuk mund të marrë një vendim. Vitin e kaluar i kam propozuar Komisionit që të reduktohet nevoja e raportimit të RTK-së në 1 herë në vit nga çdo tre muaj siç ishte praktika. Në fund është vendosur çdo 6 muaj. Është alokuar transhi i parë i mjeteve përmes vendimit të Komisionit”, thotë Muja.