Rrustemi: Osmani nuk është figurë konsensuale për presidente

Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka deklaruar se kandidatja e LDK-së për presidente, Vjosa Osmani, nuk përbën figurë konsensuale për postin e presidentit të vendit, ndërsa deklaratën e kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, pas takimit me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, e ka cilësuar shqetësuese për procesin e bashkëpunimit politik dhe formimin…

Lajme

16/07/2026 08:16

Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka deklaruar se kandidatja e LDK-së për presidente, Vjosa Osmani, nuk përbën figurë konsensuale për postin e presidentit të vendit, ndërsa deklaratën e kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, pas takimit me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, e ka cilësuar shqetësuese për procesin e bashkëpunimit politik dhe formimin e institucioneve.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Rrustemi tha se për zgjedhjen e presidentit nevojitet një figurë jashtëpartiake dhe mbi palët politike.

“Shiko, domethënë diskutimet mund të bëhen në modalitete të ndryshme. Një modalitet është nëse ka vullnet reciprok për ta zgjeruar mazhorancën për qeveri — gjithmonë nëse ka vullnet prej të dyja palëve, sepse por nuk është e domosdoshme, gjithmonë po e theksoj, me u ndërlidhë me presidentin. E dyta, nëse vazhdojnë të mbahen pozicione të tilla pozitë-opozitë, atëherë ne duhet ta gjejmë një kompromis për presidentin e Republikës. E për këtë jemi për një figurë konsensuale, jashtëpartiake, domethënë mbi palët, që s’i përket askujt. Domethënë, natyrisht me disa kritere të integritetit, përgatitjes, kontributit, por që nuk është, ose të paktën është jashtë kësaj, le të themi, polemikave e debateve të ashpra që kanë ekzistuar në këto dy vjet në Kosovë. Zonja Osmani nuk është një figurë e tillë, domethënë nuk është figurë konsensuale. Ajo është tashmë një politikane aktive, ka qenë bartëse e listës së një partie politike dhe është deputete e Kuvendit të Kosovës. Prandaj, po e përsëris, nuk është figurë konsensuale në kuadër të përpjekjes për një president jopartiak”, tha ai.

Rrustemi shtoi se presidenti i ardhshëm nuk duhet të shihet si mekanizëm për të penguar qeverisjen.

“Dhe prandaj duhet që palët të jenë konstruktive për t’i dhënë vendit një president që është konsensual, që nuk i përket askujt, dhe që nuk shihet pozita e presidentit si mekanizëm për ta penguar qeverisjen. Sepse ka një lloj tendence nga opozita në këto 18 muaj për me e pa pozitën e presidentit si një mekanizëm që e vështirëson ose e pamundëson ose e kufizon qeverisjen e Vetëvendosjes. Kjo është shumë gabim, sepse presidenti nuk është për me e penguar qeverinë. Presidenti është, brenda mandatit të vet, me i përmbushë përgjegjësitë kushtetuese, por në fund presidenti e lehtëson qeverisjen e vendit. Është e pashembullt qysh opozita po e sheh pozitën e presidentit si pengesë të qeverisjes. Të një qeverisjeje që ka fituar në mënyrë plebishitare”, tha ai.

Ai u shpreh kritik ndaj deklaratës së kreut të PDK-së, Bedri Hamza, pas takimit me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, duke thënë se ajo lë përshtypjen e një refuzimi për bashkëpunim në procesin e zgjedhjes së presidentit.

“Është herët për me konstatu, por ajo deklarata për media e Bedri Hamzës pas takimit të parë me kryeministrin, duket shqetësuese do të thoja unë. Sepse ai tha që ne do të qëndrojmë në opozitë dhe i urojmë suksese Vetëvendosjes me parti të tjera. Nuk është çështja këtu se a do të qëndrosh në opozitë apo jo. Edhe qëndron në opozitë, edhe është mirë që qëndron në opozitë. Nuk ka asgjë të keqe. Por ama jemi duke folur për çështjen e presidentit, ku kërkohen minimalisht 80 vota në kuti për shkak të një interpretimi të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2011. Ti mund të jesh ose mund të mbesësh në opozitë, por ama kjo nuk të amniston, të shfajëson ose të përjashton nga përgjegjësia për ta zgjedhur presidentin. Sepse çështja e presidentit dhe e qeverisë nuk janë e njëjta gjë. Ato kanë koincidu në kohë kësaj here, por nuk është e thënë që të ndërlidhen. Ato edhe mund të ndërlidhen nëse ka vullnet politik, por ama janë dy procese krejtësisht të ndara. Domethënë qeveria krijohet me 61 vota, dhe ne praktikisht me partnerët që kishim herën e kaluar, konsiderojmë që i kemi votat e mjaftueshme për ta zgjedhur qeverinë dhe për ta konstituuar kuvendin. Por, çështja e presidentit është një çështje që është jashtë mazhorancës. Ne e kemi përgjegjësinë për qeveri dhe për këtë natyrisht e mbajmë përgjegjësinë. Por përgjegjësia për presidentin nuk është vetëm e Vetëvendosjes, nuk është vetëm e fituesit të zgjedhjeve. Është përgjegjësi e të 120 deputetëve. Lë të përjashtojmë 9 deputetët e Listës Serbe, është përgjegjësi e të 111 deputetëve. Nuk mund të kesh qëndrim kundër për një emër, për një figurë, por domethënë nuk mund të kesh qëndrim bllokues, refuzues për procesin. Domethënë, nuk mund të thuash që askush nuk i pëlqen, askush nuk është i pranueshëm për mu. Edhe drejtpërdrejt e lë vendin pa institucione edhe dërgon në zgjedhje edhe një herë, për shkak të disa interesave krejtësisht afatshkurtra politike”, tha ai per Ekonomia Online.

Rrustemi tha se mbetet të shihet nëse opozita ka ndryshuar qasje pas zgjedhjeve të fundit.

“Prandaj unë e shoh shumë të rëndësishme të sqarohet për opinionin publik. Qëndro në rregull, qëndron në opozitë. Por ama duhet të kesh qëndrim të qartë përsa i përket zgjedhjes së presidentit sepse pa ty nuk bëhet. Ne nuk i kemi votat e mjaftueshme. Ndërkohë që, unë ende shpresoj që ajo deklarata e Bedri Hamzës nuk është edhe mbyllje e përpjekjeve ose të takimeve për ta gjetur një zgjidhje. Megjithëse të tingëllonte si refuzuese, edhe si ndërprerje e komunikimit, ose diskutimeve. Sepse fliste për rolin e PDK-së si opozitë për tema të tjera, për marrëveshje ndërkombëtare. Po ne kemi temën e presidentit që kërkon 80 vota në kuti. Në anën tjetër, AAK-ja refuzoi takimin, LDK ka vërtetë 18 deputetë, por në anën tjetër ka disa zhvillime të brendshme brenda LDK-së që mund të kenë ndikim negativ në këtë procesin e krijimit të institucioneve. Vërtetë ato janë çështje të tyre të brendshme, por kur prekin procese si krijimi i institucioneve, ato bëhen edhe procese të jashtme pastaj”, tha ai.

Ai rikujtoi se LVV-ja tashmë ka zhvilluar takime me PDK-në dhe LDK-në, ndërsa AAK-ja ka refuzuar ftesën.

“Natyrisht kishim dy takime me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ndërkohë që AAK-ja refuzoi të marrë pjesë në, në këto takime. Këto ishin dy takimet e para natyrisht jemi optimist për të gjetur një, zgjidhje edhe për t’i dhënë vendit institucione sa më të parë, brenda afateve kushtetuese. Megjithatë duhet ta theksoj që takime kishim edhe pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, madje disa, por nuk u konkretizuan në dakordime dhe marrëveshje. Duhet të ketë vullnet politik nga partitë politike për ta, për ta gjetur një zgjidhje. Domethënë unë uroj që opozita të ketë reflektu dhe të ketë heq dorë nga ajo qasja bllokuese, destruktive, të tetëmbëdhjetë muajshe e besa, sepse kjo situata aktuale nuk është e ndërlidhur vetëm me presidentin edhe me zgjedhjet e 28 dhjetorit, kjo ka fillu praktikisht pas zgjedhjeve të 9 shkurtit të vitit të kaluar. Ne kemi 18 muaj bllokadë praktikisht pa institucione fuqiplota për shkak të një qasje do të thoia unë krejtësisht të gabueshme, jodemokratike të opozitës për ta kufizuar qeverisjen e Vetëvendosjes duke mos bashkëpunuar”, tha ai.

Sipas tij, refuzimi i LDK-së për koalicion në vitin 2025 ka ndikuar në mbajtjen e zgjedhjeve të njëpasnjëshme.

“Ne kishim refuzimin vitin e kaluar të LDK-së për koalicion, që unë besoj që ka qenë shkaktari i dy palë zgjedhjeve pasuese. Sepse po të kishim një marrëveshje në vitin 2025 ku ne ftuam LDK-në për koalicion, ne nuk do t’i kishim as zgjedhjet e 28 dhjetorit, po nuk do t’i kishim as zgjedhjet e 7 qershorit. Praktikisht i kemi mbajtur tre palë zgjedhje parlamentare në 15 muaj, dhe rezultati është pothuajse i njëjtë, domethënë plus minus po jo ndonjë ndryshim radikal ose drastik për të justifikuar këto strategji bllokuese të opozitës. Prandaj, domethënë mbetet të shihet nëse opozita vërtet ka reflektuar dhe ka hequr dorë. Por ne jemi optimist sepse është e vërtetë e pakuptimtë që të, që të bllokohet procesi i krijimit të institucioneve, sidomos bllokimi i zgjedhjes së presidentit”, tha ai.

Rrustemi tha se, sipas tij, zgjedhjet e 7 qershorit ishin pjesë e një strategjie politike të opozitës.

“Po përtej asaj që është thënë edhe nga kryeministri edhe nga kryetarët e dy partive politike opozitare, nuk mund të them as unë, por po e them një gjë: nuk ka dështuar zgjedhja e presidentit të republikës pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit pse nuk ka pasur diskutime, por thjesht ka dështuar sepse ka pasur një pozicion të tillë si strategji e veprimit politik të opozitës për ta çuar vendin në zgjedhje. Domethënë takimet herën e kaluar kanë qenë në mirësjellje, kanë qenë sa për të sy e faqe, kanë qenë sa për ta justifikuar pozicionin dhe për ta shpërndarë përgjegjësinë ose për t’i lënë fajin dikujt tjetër. Por herën e kaluar unë jam i bindur që opozita i ka dashur tepër shumë zgjedhjet e 7 qershorit, sidomos LDK. Ata kanë besuar që duke çuar vendin në zgjedhje të vazhdueshme e dobësojnë Vetëvendosjen, ekspozohen si të pafuqishme për t’i krijuar institucionet dhe kësisoj krijojnë rrethanë të përshtatshme për opozitën për t’i bërë numrat për ta krijuar një qeveri. Unë e them vazhdimisht që motivi i kësaj bllokadës 18 muajshe në Kosovë është në fakt një farë pretendimi jodemokratik i opozitës për ta marrë qeverinë pa i fituar zgjedhjet. Domethënë nuk është çështja te presidenti, s’ka qenë as herën e kalume, sepse ne presidentin nuk e kishim problem para, nuk e kishim në rend dite pas zgjedhjeve të 9 shkurtit të vitit të kaluar, presidenti u bë pjesë e agjendës nga fillimi i këtij viti. Po ne e kishim edhe vitin e kaluar të humbur për shkak të bllokadës në njërën anë dhe në anën tjetër për shkak të refuzimit për të bashkëqeverisur me Vetëvendosjen nga ana e LDK-së. Prandaj është tepër e rëndësishme, ajo çfarë nuk dihet është, a ka ndryshuar qasje opozita? A ka vendosur që mos ta çojë më vendin në zgjedhje?”, tha ai.

Ai tha se do të ketë takime të tjera ndërmjet partive politike në përpjekje për krijimin e institucioneve.

“Natyrisht se do të ketë takime. Se kur do të jenë ato, nuk mund ta di, por gjithsesi që do të ketë takime, do të ketë ftesa. Në anën tjetër, shiko, në aspektin kushtetues, nga momenti i certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, ne kemi 30 ditë brenda të cilave duhet të thirret seanca konstituive dhe duhet të konstituohet Kuvendi. Natyrisht, datën e cakton ushtruesja e detyrës së presidentes së Republikës. Por e dimë tashmë që brenda këtyre 30 ditëve duhet të thirret seanca dhe duhet të konstituohet Kuvendi”, tha ai.

“Natyrisht, po i japim kohë dhe mundësi bisedimeve, nuk po thirret menjëherë, sepse edhe sot e nesër do të mund të mbahej kjo seanca konstituive. Unë nuk e di se kur do ta thërrasë ushtruesja e detyrës së presidentes së Republikës, por me sa duket, sikur po jep mundësi bisedimeve. Natyrisht, nëse ka ndonjë konkretizim apo arritje gjatë këtyre ditëve para seancës konstituive, do t’i kontribuonte, le të themi, efikasitetit të krijimit të institucioneve. Por, nëse nuk ka ndonjë dakordim në këtë periudhë, natyrisht që në ditën kur do të caktohet data nga ana e ushtrueses së detyrës së presidentes së Republikës, Kuvendi duhet të konstituohet, e më pas të ecet tutje edhe me zgjedhjen e qeverisë”, tha ai.

“Por përsëri, kjo nuk e bllokon procesin e gjetjes së një zgjidhjeje për presidentin, sepse pas konstituimit i kemi edhe 60 ditë të tjera për presidentin. Domethënë, nuk është e kufizuar te kjo data e konstituimit, por që gjithmonë duhet ta ripërsërisim: uroj që opozita këtë herë të heqë dorë nga ideja e bllokimit të vazhdueshëm dhe nga ideja që mund ta marrë qeverinë pa i fituar zgjedhjet”, tha ai.

Rrustemi vlerësoi se LDK-ja duhet ta pranojë pozicionin e saj aktual politik.

“Dhe e treta, ka shumë rëndësi që LDK-ja ta kuptojë që është partia e tretë në Kosovë. Dhe në tri palë zgjedhje brenda 15 muajsh, është konfirmuar si partia e tretë, domethënë. Si partia e tretë, e ka peshën e rëndësishme në procesin e krijimit të institucioneve. Por ama je partia e tretë. Domethënë, dhe e konfirmuar në tri palë zgjedhje. Dhe duhet të pranohet edhe nga vetë LDK-ja ky pozicion, dhe të maksimizohet politikisht ky pozicion, si palë e tretë që ka përgjegjësinë e madhe, ose edhe përcaktuese shpeshherë, në procesin e krijimit të institucioneve”, tha ai për Ekonomia Online.