Rrustem Mustafa: Qeveria në detyrë refuzoi një projekt të rëndësishëm nga SHBA për drejtësinë dhe sigurinë

Ish-komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me mënyrën se si qeveria në detyrë ka trajtuar një projekt të rëndësishëm të propozuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ka theksuar se këto projekte kanë të bëjnë me ndërtimin e sistemit të drejtësisë dhe sigurisë në…

Lajme

22/09/2025 09:12

Ish-komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me mënyrën se si qeveria në detyrë ka trajtuar një projekt të rëndësishëm të propozuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ka theksuar se këto projekte kanë të bëjnë me ndërtimin e sistemit të drejtësisë dhe sigurisë në Kosovë, por sipas tij, nuk janë pranuar nga ana e ekzekutivit.

Mustafa në RTV Dukagjini, ka thënë se për këto projekte, kryeministri në detyrë, Albin Kurti nuk ka komunikuar me aleatët në mënyrën më të mirë.

“Ka projekte politike dhe të sigurisë që unë i njoh që zoti Kurti nuk ka komunikuar në mënyrën më të mirë të mundshme me ta. Janë çështje në zhvillim, unë po shpresoj që zoti Kurti por edhe të tjerët duhet të vetëdijesohen dhe duhet të mendojnë mirë për projektet që kanë ndikim në zhvillimin e shtetit tonë, të kombit tonë të ecjes drejt perspektivës, që të mendojnë mirë, të analizojnë mirë dhe të mos marrin vendime të ngutshme pa marrë parasysh këshillat nga na vijnë”, ka thënë Mustafa.

Ai ka shtuar se ka njohuri për disa projekte specifike në fushën e sigurisë që nuk janë pranuar nga qeveria dhe që, sipas tij, përfaqësojnë mundësi të mëdha për vendin. Sipas Mustafës, këto projekte janë propozuar nga partnerët amerikanë dhe janë të domosdoshme për stabilitetin institucional.

Mustafa ka përmendur edhe një projekt politik që, përmes tij, i është dorëzuar Zyrës së Kryeministrit para tri vitesh. Ky projekt synonte forcimin e sistemit të drejtësisë dhe sigurisë, por nuk është zhvilluar për shkak të mungesës së dakordësimit ndërmjet palëve.

“Më vjen rënd me thënë, por nuk po arrijnë me bashkëpunu me organizma të domosdoshëm ndërkombëtar në formën e duhur. [Kurti?] Vetëvendosja në përgjithësi. Nuk kanë pse me qenë anti-amerikan. Unë i njoh veçantë, disa projekte që kanë të bëjnë me sigurinë, që nuk kanë mundur me i pranu ato projekte, nuk kanë punuar në atë drejtim. Ka projekt politik nga SHBA-të, që përmes meje i është dorëzuar Zyrës së Kryeministrit para tri vitesh, është projekt që synon ndërtimin e drejtësisë dhe sigurisë në nivel të kënaqshëm, s’dua të shpalos më shumë. Edhe pse ka pasur takime të nivelit të lartë, por nuk kanë mundur të bien dakord për të filluar zhvillimin e projektit të qëndrueshëm për drejtësi, për siguri. [Diçka si SPAK-u?] Edhe përtej. Më e keqja që nuk mund t’i kuptoj. Mekanizmat për të cilët po flas nuk tërhiqen nga Kosova, kanë për të na mësuar ta kuptojmë idenë, edhe pse nuk e kuptojmë tash”, ka thënë ai.

Deklaratat e tij vijnë në një moment kur raportet ndërmjet Kosovës dhe aleatëve ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-të, janë vënë në fokus të debatit publik, sidomos në lidhje me reformat në sistemin e drejtësisë dhe bashkëpunimin në fushën e sigurisë.

KosovaPress ka kontaktuar me Zyrën e Kryeministrit për të marrë informacione lidhur me pretendimet e Rrustem Mustafës, por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk ka pranuar përgjigjje.