Rruga e Re

Është nënshkruar një deklaratë në mes të Kryeministrave Hashim Thaçi dhe Edi Rama. Gjithashu janë nënshkruar dy marrëveshje në mes të ministrive të tregtisë dhe të transportit. Takimi i ardhshëm mbahet në Vlorë në maj ose qershor.

Lajme

11/01/2014 12:52

Takimi i përbashkët në mes të kabineteve qeveritare të Kosovës dhe Shqipërisë, i cili po mbahet në Prizren, një deklaratë dhe 2 marrëveshje ndërministrore.

Kryeministrat e të dy vendeve, Hashim Thaçi dhe Edi Rama, nënshkruan një Deklaratën e përbashkët për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet të Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë

Marrëveshja e parë është ajo në mes të Ministër i Zhvillimit Ekonomik të Shqipërisë Arben Ahmetaj dhe atij të Kosovës Bernard Nikaj.

Marrëveshja ka të bëjë me bashkëpunimit dhe lehtësimit të tregtisë në mes të dy vendeve.

Ministri i Transportit të Shqipërisë, Edmons Haxhinasto dhe ai i Kosovës, Fehmi Mujota, nënshkruan Marrëveshjen për Transport dhe Infrastrukturë.

Pas nënshkrimi të këtyre marrëveshjeve, Kryeministri Thaçi u shpreh se të dy qeveritë do të angazhohen në fuqizimin dhe intensifikimin e dialogut ndërqeveritar.

Marrëveshjet parashohin ofrimin e mbështetjes për Kosovën në përfshirje në institucionet dhe nismat rajonale, koordinim për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, me qëllim final anëtarësimin e Kosovës në OKB, BE dhe NATO.

“Objektivi bazik i dy qeverive do të jetë që të kemi standarde të larta të sigurisë dhe luftë kundër trafiqeve, krimit dhe korrupsionit”.

“Theks i veçantë do t’i kushtohet energjetikës duke vendosur një sistem të përbashkët energjetik”.

“Arsimi dhe sporti do të zënë vend të veçantë ndërsa do të ketë organizim të kampionateve të përbashkëta sportive”.

“Dy qeveritë do të angazhohen në ruajtjen e identitetit të përbashkët kombëtar, do të krijohet një kalendar i përbashkët kulturor dhe në këtë drejtim nuk do të lihen anash bashkëatdhetarët tanë kudo që janë”.

“Kemi vendosur të krijojmë një fond për Preshevën”, tha Thaçi.

Ky fond do të shërbejë për ndërtimin e një materniteti dhe, sipas Thaçit, është një çështje humanitare “në përputhmëri me Kushtetutat e vendeve tona”.

“Uroj qytetarët në Shqipëri dhe Kosovë e kudo për mbështetjen e ofruar”, ka thënë Thaçi.

Ndërsa Kryeministri Shqiptar, Edi Rama, e vlerësoi Prizrenin si simbol shqiptar i bashkimit dhe simbol europian i bashkëjetesës.

“Kjo mbledhje ishte një mbledhje pune dhe një mbledhje që vuri një gur themeltar duke çelur një rrugë të re për zhvillimin e gjithanshëm ekonomik, social e kulturor në dy shtetet tona dhe në mbarë hapësirën që përkufizojnë këto dy shtete”.

“Gjitha këto politika janë në funksion të përmirësimit të jetës së përditshme të qytetarëve të dy shteteve tona dhe të gjeneratave tjera, në funksion që të dy shtetet shqiptare të bëhen pjesë e BE’së”.

“Dokumenti i përbashkët është konfirmim i vullnetit tonë për të forcuar marrëdhëniet me aleatët tanë BE dhe SHBA dhe për t’u bërë përçues bashkëpunimi në gjithë rajonin”.

“Këto marrëveshje hapin një kapitull të ri integrimi dhe modernizimin në dy shtetet tona”.

“Ekonomitë e dy vendeve tona do të përfitojnë si në bazën e konkurrencës ashtu edhe në bazën e përplotësimit”.

“Është koha për një siguri energjetike të kontrolluar bashkërisht në dy shtetet tona. Kemi vendosur gurin e parë të rëndësishëm energjetik në atë që ministri kosovar me të drejtë e quajti autostradë energjetike e dy shteteve tona”.

“Kemi vendosur për bashkëfinancim të Dokufestit të Prizrenit, në mënyrë që ky festival të kthehet në një aktivitet me vulën e përbashkët të dy qeverive tona”.

“Ne sot kemi bërë një mbledhje të parë të përbashkët e cila do të pasohet nga një e dytë. Data do të caktohet nga ministrat e jashtëm mes fundit të majit dhe fillimit të qershorit në qytetin e Vlorës ku do të caktohen hapat e ardhshëm dhe kantieret e reja të punës së përbashkët që do ta bëjmë”.

“Duke iu referuar vendeve të Beneluksit, kam pasur për qëllim që ta bëjmë një shtysë për të shkuar më tutje në mënyrë që Shqipëria dhe Kosova ta luajnë rolin që kanë në bashkëpunimin rajonal”, ka thënë Rama.