Rritja e kredive në Kosovë – alarm nga ekspertët: Ekonomia po mbijeton me borxh
Tregu bankar në Kosovë ka hyrë në vitin 2025 me nivelin më të lartë të kreditimit të regjistruar ndonjëherë. Gjatë këtij viti, bankat komerciale kanë dhënë gjithsej 2.684 miliardë euro kredi të reja, duke shënuar rritje prej 3.8 për qind krahasuar me vitin paraprak. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, kjo…
Lajme
Tregu bankar në Kosovë ka hyrë në vitin 2025 me nivelin më të lartë të kreditimit të regjistruar ndonjëherë.
Gjatë këtij viti, bankat komerciale kanë dhënë gjithsej 2.684 miliardë euro kredi të reja, duke shënuar rritje prej 3.8 për qind krahasuar me vitin paraprak.
Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, kjo rritje pasqyron një aktivitet të shtuar kreditues si te qytetarët ashtu edhe te bizneset.
Zgjerimi i kreditimit po ndodh paralelisht me një rritje të lehtë të normave të interesit.
Norma mesatare efektive e interesit për kreditë e reja është rritur nga 6.1 për qind në vitin 2024 në 6.4 për qind në vitin 2025, pas disa vitesh me interesa më të ulëta.
Ndërkohë, totali i kredive në sistemin bankar ka kaluar 6.4 miliardë euro deri në mesin e vitit 2025, duke e bërë sektorin bankar një nga shtyllat kryesore të qarkullimit financiar në vend.
Ish-guvernatori Mehmeti paralajmëron për rreziqet e rritjes së kredive konsumatore në Kosovë
Rritja e kredive në Kosovë gjatë vitit 2025, ndonëse e qëndrueshme nga aspekti i stabilitetit bankar, nuk mund të konsiderohet domosdoshmërisht si zhvillim i shëndetshëm ekonomik. Kështu ka vlerësuar në një prononcim për FrontOnline ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti.
Sipas Mehmetit, sistemi bankar në vend ka kapacitete dhe kapital të mjaftueshëm për të përballuar rritjen e kreditimit, por rreziku shfaqet kur struktura e kredive dominohet nga huamarrja konsumatore dhe jo nga kreditë që krijojnë vlerë të re ekonomike.
“Rritja e kredive është e qëndrueshme në aspektin bankar, por jo domosdoshmërisht e shëndetshme në aspektin ekonomik, nëse kreditimi përdoret për të zëvendësuar të ardhurat dhe jo për të krijuar vlerë të re ekonomike. Në këtë rast, rritja e kredive bart rrezik afatmesëm për mbingarkesë me borxhe”, ka deklaruar Mehmeti.
Ish Guvernatori I BQK-së ka thënë se faktori kryesor që po e nxit rritjen e kreditimit është mbulimi i kostove të jetesës, si pasojë e inflacionit, rritjes së çmimeve bazë dhe fuqisë së kufizuar blerëse të qytetarëve.
‘’Në vlerësimin tim, faktori kryesor është mbulimi i kostove të jetesës, si rezultat i Inflacionit ku kemi rritje te çmimeve bazë dhe fuqia e kufizuar blerëse kanë bërë që kreditë të përdoren si mekanizëm stabilizimi për familjet. Edhe te bizneset, një pjesë e kreditimit shkon për menaxhim likuiditeti dhe jo për zgjerim kapacitetesh’’, tha Mehmeti.
Duke komentuar rritjen e normës efektive të interesit nga 6.1 për qind në 6.4 për qind, Mehmeti ka vlerësuar se kjo rritje ndikon drejtpërdrejt në barrën financiare të familjeve dhe në koston e kapitalit për bizneset.
‘’Për familjet, kjo rrit barrën mujore të shërbimit të borxhit dhe gradualisht dobëson fuqinë blerëse. Për bizneset, norma më e lartë rrit koston e kapitalit dhe ngushton hapësirën për investime të reja, sidomos në sektorët me marzhe të ulëta. Në aspekt makro, kjo ndihmon në kontrollin e inflacionit, por kërkon kujdes për të mos frenuar aktivitetin ekonomik’’, tha Mehmeti.
Misini: Kostoja e jetesës dhe mungesa e Cash-it po i shtyjnë qytetarët dhe bizneset drejt kredive
Profesori dhe eksperti i ekonomisë, Shkumbin Misini, ka vlerësuar se rritja e kërkesës për kredi në Kosovë lidhet kryesisht me rritjen e kostos së jetesës dhe mungesën e parasë së gatshme te bizneset, e jo domosdoshmërisht me investime zhvillimore.
Në një deklaratë për Front Online, Misini tha se konsumatorët po detyrohen të marrin kredi për të ruajtur standardin e jetesës në raport me të hyrat që kanë.
“Rritja e kërkesës për kredi nga konsumatorët është pasojë e rritjes së kostos së jetesës. Për ta mbajtur atë standard jetese në raport me të hyrat që i kanë, qytetarët detyrohen të marrin kredi”, u shpreh ai.
Sipas Misinit, edhe bizneset po përballen me mungesë të parasë së gatshme, çka i shtyn drejt huamarrjes. Ai thotë se importi i lartë në Kosovë është një nga faktorët kryesorë që po rrit presionin financiar mbi bizneset.
“Bizneset kanë mungesë cash-i dhe për shkak të importit të lartë që ka Kosova, kërkesa për kredi është në rritje e sipër”, tha Misini.
Misini shtoi se duhet bërë një dallim i qartë mes kredive për investime dhe atyre për mbijetesë. Sipas tij, kompanitë prodhuese, në shumicën e rasteve, kërkojnë kredi vetëm për të mbijetuar në treg, ndërsa bizneset tregtare i përdorin kreditë kryesisht për rritje të qarkullimit.
“Duhet analizuar a kemi të bëjmë me kërkesën për kredi, a është për shkak të qarkullimit të investimeve kapitale që i bëjnë për shkak të konkurrencës së rreptë që e kanë apo rritje e kërkesës për kredi vetëm për mbijetesë nëse janë shembull kompanitë veç prodhuese shumicën e rasteve kërkesën e kanë veç për mbijetesë e tregtare për rritje qarkullimi më të madh mirëpo shkaktar kryesor është importi i lartë te bizneset’’, tha ai.
Duke folur për normat e interesit, Misini vlerësoi se ato kanë qenë vazhdimisht të larta në Kosovë krahasuar me vendet e zhvilluara dhe se ka munguar stimulimi i kredive për rritjen dhe zhvillimin e bizneseve.
‘’Normat e interesit në Kosovë kanë qenë gjithmonë shumë të larta krahasuar me vendet e fuqishme të botes dhe nuk kemi pasur ndonjë stimulim të kredive për rritjen dhe zhvillimin e bizneseve dhe kjo ka bërë që kapitali i bizneseve të largohet nga Kosova dhe kjo rritje e kredive vjen si shkak i normës si inflacionit. Momentin që rritet inflacioni rritet edhe kredia sepse vlera e parasë nuk është ajo që ka qenë më parë’’, tha Misini.
Muhaxheri: Rritja e kredive në Kosovë, simptomë e përkeqësimit financiar
Njohësi i çështjeve ekonomike, Arton Muhaxheri, vlerëson se rritja e kredive në Kosovë nuk përbën tregues të suksesit ekonomik, por sinjal të përkeqësimit të gjendjes financiare.
“Rritja e kredive në Kosovë nuk është tregues suksesi ekonomik, por simptomë e përkeqësimit të gjendjes financiare. Kur kreditë merren për konsum dhe për të mbuluar shpenzimet bazike të jetesës, e jo për investime dhe zgjerim ekonomik, atëherë kemi të bëjmë me një ekonomi që po mbijeton me borxh’’, thotë Muhaxheri.
Sipas tij, ky trend është alarmues dhe dëshmon se të ardhurat reale të qytetarëve dhe kapaciteti financiar i bizneseve nuk po arrijnë ta përballojnë koston e rritur të jetesës.
“Ky zhvillim tregon qartë se fuqia blerëse e qytetarëve dhe qëndrueshmëria financiare e bizneseve janë nën presion serioz’’, shton ai.
Muhaxheri vlerëson se rritja e normave të interesit e përkeqëson edhe më tej situatën ekonomike, duke rritur barrën financiare për familjet dhe duke frenuar investimet e reja.
“Familjet paguajnë më shumë për kredi, ndërsa bizneset shtyjnë ose heqin dorë nga investimet. Ekonomia nuk po rritet mbi bazë prodhimi dhe investimi, por mbi huamarrje për konsum, çka është recetë për stagnim dhe rrezik financiar afatmesëm’’, deklaroi Muhaxheri.
Nëse ky trend vazhdon, Muhaxheri paralajmëron se pasojat do të reflektohen drejtpërdrejt në standardin e jetesës dhe stabilitetin ekonomik të vendit.
“Nëse nuk ndryshon struktura e kreditimit, pasojat do të ndihen drejtpërdrejt në standardin e jetesës dhe në stabilitetin ekonomik të Kosovës’’, tha Muhaxheri.