Rritet vlera e futbollistëve të Kombëtares
Portali “transfermarkt.de”, i specializuar në fushën e vlerësimeve dhe transfertave të lojtarëve, ka reaguar i pari, duke pasqyruar vlera më të rritura financiare për futbollistët e Kombëtares sonë pas kualifikimit për në “Francë 2016”.

Sport
Veç pritjes madhështore nga tifozët, nderimit me tituj honorikë nga nga Presidenti Nishani dhe Kryeministri Rama, apo premtimit për t’u shpërblyer nga FSHF-ja me 2 milionë euro për kualifikimin në Euro 2016, kuqezinjtë e Kombëtares sonë kanë marrë edhe indikacionet dhe beneficet e para të suksesit të tyre në tregun e futbollit ndërkombëtar.
Portali “transfermarkt.de”, i specializuar në fushën e vlerësimeve dhe transfertave të lojtarëve, ka reaguar i pari, duke pasqyruar vlera më të rritura financiare për futbollistët e Kombëtares sonë pas kualifikimit për në “Francë 2016”.
Rritjen më të madhe të vlerës e ka pësuar kartoni i mesfushorit Ergys Kaçe, për të cilin, çdo klub që do të ketë nevojë për shërbimet e shtatshkurtit kuqezi, duhet të paguajë minimalisht 3 milionë euro, shkruan “Sportal.al”.
Listën e futbollistëve më të shtrenjtë të Kombëtares sonë, e kryeson shkodrani Elseid Hysaj, për kartonin e të cilin, Napolit iu desh të paguante plot 5 milionë euro. Sipas specialistëve të kësaj fushe, duke iu referuar moshës dhe performancës së Hysajt, vlera e kartonit të tij mjaft shpejt do të rritet ndjeshëm.
Pas tij renditet sulmuesi i Bazelit, Shkëlzen Gashi, kartoni i të cilit kushton 4.5 milionë euro, duke vazhduar me Etrit Berishën me 3 milionë euro, Taulant Xhakën 2.5 milionë euro dhe duke vazhduar me futbollistët e tjerë kuqezinj.
I rëndësishëm është fakti, se ka një trend për rritjen e kuotave dhe vlerave të tyre financiare, pasi përpara janë finalet e europianit, të cilat do të jenë edhe një “vitrinë” e mirë për ta, thksojnë specialistët e marketingut në tregun e futbollit.