Rriten çmimet e prodhimeve blegtorale

16:15 | 8 Nentor 2019

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar indeksin e çmimeve të prodhimeve dhe çmimet në bujqësi, për tremujorin e tretë të këtij viti, ku thuhet se indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 3.95 përqind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018. Kurse, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rënie për – 2.15 përqind.

Sipas ASK-së, indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rritje për 0.28%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018.

ASK thotë se ky publikim është i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë.

“Grumbullimi i të dhënave është bërë në treg, ferma dhe vende të tjera, ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen.Prodhimet, që krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe ato blegtorale. Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë. Në prodhimet blegtorale, çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale. Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve. Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë. Të gjitha çmimet janë llogaritur në Euro dhe njësitë matëse janë në: kg, litër dhe copë”, thuhet në komunikatën e ASK-së.