​”Rrezikojmë të rrëzohemi”, rrugët e Prishtinës të papastruara nga bora, qytetarëve u vështirësohet qarkullimi

Bora e parë në Prishtinë tashmë ka rënë, por disa rrugë e trotuare të kryeqytetit mbetën të papastruara. Derisa sheshi ishte i qarkullueshëm, qytetarët shprehën ankesa për hapësirat që nuk ishin pastruar. Njëri ndër ta është edhe Agim Bajrami, i cili tha se kjo situatë u shkakton rrezik që të rrëzohen. “Shumë na vështirëson qarkullimin,…

Lajme

29/11/2026 15:56

Bora e parë në Prishtinë tashmë ka rënë, por disa rrugë e trotuare të kryeqytetit mbetën të papastruara.

Derisa sheshi ishte i qarkullueshëm, qytetarët shprehën ankesa për hapësirat që nuk ishin pastruar.

Njëri ndër ta është edhe Agim Bajrami, i cili tha se kjo situatë u shkakton rrezik që të rrëzohen.

“Shumë na vështirëson qarkullimin, rrezik të rrëzohemi në tokë. Sa i kam veshë çizme më të thella, por po shoh qytetarë që nuk janë të pajisur me këto çizme, mund ta rrezikojnë jetën e tyre duke u rrëzuar”, tha Bajrami.

Ndërsa Veton Rexhepi e cilëson si një situatë jo të mirë.

“Nuk është mirë, duhet zgjuar herët e t’i pastrojnë rrugët nga bora, mirë nuk është”, tha ai.

Në anën tjetër, kishte qytetarët që janë përgatitur për stinën e dimrit.

Hasan Matoshi pohon se ka bërë të gjitha përgatitjet për ta përballuar të ftohtit.

“Jemi përgatitë, ne në banesë jetojmë, mirë i kemi kaluar edhe dimrat e kaluar, ai që punon kalon mirë”, tha ai.

Nga mëngjesi janë raportuar edhe shumë situate të ngjashme me hapësira të papastruara nga bora, përfshirë këtu magjistrale e autostrada.

Në anën tjetër, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se ekipet janë të gatshme të intervenojnë në terren, duke i trajtuar me kripë edhe segmentet ku ka ngrica, me vëmendje të veçantë në zonat malore.