Rreth 500 mijë euro veç bileta avioni dhe akomodim për Osmanin dhe stafin, darka e dreka në vlerë 101 mijë euro – Shpenzimet marramendëse të ish-presidentes
Ish-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përfunduar mandatin e saj në krye të shtetit me 4 prill 2026, duke e përmbyllur mandatin e saj pesë vjeçar. Gjatë pesë viteve të fundit, Vjosa Osmani shpesh u lavdërua për punën, por edhe më shpesh u kritikua nga akterë të ndryshëm politik. Ajo derisa ushtronte rolin e Presidentes,…
Lajme
Ish-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përfunduar mandatin e saj në krye të shtetit me 4 prill 2026, duke e përmbyllur mandatin e saj pesë vjeçar.
Gjatë pesë viteve të fundit, Vjosa Osmani shpesh u lavdërua për punën, por edhe më shpesh u kritikua nga akterë të ndryshëm politik.
Ajo derisa ushtronte rolin e Presidentes, pranë vetes kishte edhe dhjetëra këshilltarë e bashkëpunëtorë, që bashkë me Osmanin panë shumë vende të botës edhe atë me para të shtetit të mbledhura nga taksat e qytetarëve.
Në kuadër të punëve të shtetit që ishin lobimi për Kosovën, Osmani organizoi gjithë këto vizita e që vetëm gjatë 2025-ës i kushtuan shtetit afro gjysmë milioni euro.
Vetëm për udhëtime zyrtare jashtë vendit dhe akomodime gjatë këtyre udhëtimeve, Osmani dhe stafi i saj prej 34 personash i kanë shpenzuar buxhetit të shtetit plot 494 mijë e 371 euro e 23 cent.
Saktësisht, sipas të dhënave që ka siguruar lajmi.net përmes qasjes në dokumente publike, presidentja Vjosa Osmani ka shpenzuar 296 mijë e 332 euro e 75 cent vetëm për bileta avioni të klasit ekonomik për 34 persona, që do të thotë Vjosa Osmanin dhe stafi i saj.
Përveç biletave, stafit të Presidencës i duhej edhe akomodimi. Gjatë periudhës janar-dhjetor 2025, Presidenca ka shpenzuar plot 198 mijë e 38 euro e 48 cent për akomodim për 34 personat që udhëtuan në 65 udhëtime gjithsej.
Shumë shtrenjtë i kushtuan shtetit edhe drekat e darkat zyrtare që u organizuan nga Presidenca e Kosovës. Vetëm gjatë vitit 2025, 101 mijë e 600 euro e 68 cent pagoi Presidentja e Kosovës dhe stafi i saj për ushqime e pije në dreka e darka të ndryshme.
Për të shkuar në këto dreka e darka e kudo tjetër, Presidenca e Kosovës i kishte në dispozicion 11 vetura zyrtare bashkë me përcjelljen e Mbrojtjes së Afërt e që ishin në numër të shumtë policësh. E këto vetura normalisht që duheshin mbushur vazhdimisht me derivate që të lëviznin nga Prishtina në Gjilan, anasjelltas e në vende të ndryshme brenda dhe jashtë Kosovës. E për krejt këto lëvizje me automjete të presidentes Osmani, buxhetit i kushtuan hiç më pak se 17 mijë e 273 euro e 98 cent.
Këto shpenzime marramendëse të Osmanit me ekipë, janë pjesë e buxhetit të shtetit të vitit 2025, saktësisht 4.2 milionë eurove që u ndanë për Presidencën.
Përveç Osmanit dhe stafit të saj të shumtë në numër, nga Presidenca gjatë vitit 2025, u paguan edhe 17 mijë 291 euro për bileta të udhëtimeve zyrtare jashtë vendit për administratën, ish-Presidentët e Kosovës dhe Këshillin Konsultativ për Komunitete.
Këta gjithashtu shpenzuan edhe 67 mijë e 876 euro në akomodime gjatë udhëtimeve zyrtare jashtë vendit, 19 mijë e 350 euro për karburante si dhe 34 mijë e 184 euro.
Gjithsej, gjatë 2025-ës, këta zyrtarë kanë shpenzuar 138 mijë e 703 euro.
Në organizime protokollare, Presidenca e Kosovës gjatë 2025-ës ka shpenzuar plotë 39 mijë e 815 euro.

Këto shpenzime që paguhen nga buxheti i shtetit, janë marramendëse. Osmani shumë shpesh është kritikuar edhe për luksin që ka krijuar në jetën e saj dhe pasurinë e madhe.
Në deklarimin e pasurisë të vitit 2025, Osmani ka deklaruar pasuri të paluajtshme në pronësi të saj dhe bashkëshortit të saj rreth 1 milionë euro.
Ajo ka deklaruar banesë në vlerë rreth 60 mijë eurove në pronësi të bashkëshortit, garazh në vlerë rreth 6 mijë euro në pronësi të bashkëshortit, shtëpi në Australi në vlerë 170 mijë euro në pronësi të bashkëshortit, tokë në vlerë 35 mijë euro në pronësi të saj, banim në vlerë 208 mijë euro në pronësi të përbashkët dhe banim në Australi në vlerë 510 mijë euro në pronësi të bashkëshortit. /Lajmi.net/
