Rreth 25 mijë familje përfituese të ndihmës sociale

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat e Mirëqenies Sociale” për tremujorin e parë (TM1) të vitit 2019.

Lajme

05/06/2019 15:28

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka publikuar skemat e përfituesve të ndihmës sociale dhe të pensioneve.

Ky publikim ofron të dhëna për numrin e përfituesve nga skema e ndihmës sociale, skema e pensioneve bazë të moshës, të pensioneve kontributpaguese të moshës, skemën e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara, skemën e pensioneve për personat paraplegjik dhe tetraplegjik, skemën për mbështetje materiale për familjet me fëmijë me aftësi të kufizuara të përhershme, skemën për pensionet familjare, skemën për pensionet invalidore, skemën e pensioneve për familjet e dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe veteranëve të luftës, skemën e pensioneve të Trepçës, skemën e pensioneve për Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të Forcës së Sigurisë së Kosovës, skemën e kompensimeve për personat e verbër, të dhëna për numrin e fëmijëve të braktisur etj.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim rezulton se: nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 24 mijë e 995 familje me gjithsej 102 mijë e 35 anëtarë; dhe nga skema për mbështetje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara kanë përfituar 2 mijë e 217 familje.

Ndërkaq, nga skemat pensionale: skema e pensioneve bazë të moshës ka 127 mijë e 104 përfitues; skema e pensioneve kontributpaguese të moshës ka 45 mijë e 759 përfitues; skema për pensionet familjare ka 4 mijë e 26 përfitues; skema për pensionet invalidore ka 103 përfitues; skema për pensionet e Trepçës ka 2 mijë e 865 përfitues; skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës ka 1 mijë e 59 përfitues; skema e pensioneve për Forcën e Sigurisë së Kosovës ka 534 përfitues; skema e kompensimeve për personat e verbër ka 1 mijë e 916 përfitues; skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara ka 16 mijë e 681 përfitues; skema për pensionet e personave paraplegjik dhe tetraplegjik ka 3 mijë e 47 përfitues.

Kurse, nga skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës janë 13 mijë e 445 përfitues dhe nga skema për veteranët e luftës janë 38 mijë e 94 përfitues.

KËTU mund ta gjeni raportin e plotë. /Lajmi.net/