Rreth 100 mijë qytetarë pjesëmarrës në marsh sot, “Liria Ka Emër”: Më 16 shtator presim lirinë për çlirimtarët

Platforma qytetare “Liria Ka Emër” ka falënderuar rreth 100 mijë qytetarë që morën pjesë sot në “Marshin për Liri” në Prishtinë, duke e cilësuar atë si një manifestim të madh në mbështetje të lirisë, drejtësisë dhe të vërtetës së luftës së Kosovës. Përmes një komunikate, platforma ka thënë se në marsh morën pjesë qytetarë nga…

Lajme

12/09/2026 16:17

Platforma qytetare “Liria Ka Emër” ka falënderuar rreth 100 mijë qytetarë që morën pjesë sot në “Marshin për Liri” në Prishtinë, duke e cilësuar atë si një manifestim të madh në mbështetje të lirisë, drejtësisë dhe të vërtetës së luftës së Kosovës.

Përmes një komunikate, platforma ka thënë se në marsh morën pjesë qytetarë nga të gjitha komunat e Kosovës, trojet shqiptare dhe diaspora, me një mesazh të përbashkët: “Liri për çlirimtarët”, transmeton lajmi.net.

“Liria Ka Emër” ka shprehur mirënjohje për familjet e dëshmorëve, veteranët dhe invalidët e luftës, bashkëluftëtarët, qytetarët, diasporën, artistët, sportistët, përfaqësuesit politikë, organizatat, bizneset, mediat dhe vullnetarët që kontribuuan në organizimin e marshit.

Sipas platformës, pjesëmarrja masive dëshmoi edhe një herë se qytetarët e Kosovës mund të bashkohen kur bëhet fjalë për UÇK-në dhe për njerëzit që, siç thuhet në komunikatë, morën përgjegjësi për vendin në ditët më të vështira të historisë.

“Marshi i sotëm ishte një mesazh i fuqishëm solidariteti me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, por mbi të gjitha ishte një mesazh për të vërtetën, drejtësinë dhe historinë e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

“Liria Ka Emër” ka theksuar se tash vëmendja është te 16 shtatori, kur pritet shpallja e aktgjykimit në çështjen ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

“Tani sytë e Kosovës janë drejt 16 shtatorit. Atë ditë, kërkesa jonë është e qartë: Liri për Hashim Thaçin. Liri për Kadri Veselin. Liri për Jakup Krasniqin. Liri për Rexhep Selimin”, thuhet më tej.

Në fund, platforma ka përcjellë mesazhin: “Në emër të popullit, shpalleni TË PAFAJSHËM!”, duke e përmbyllur komunikatën me sloganin: “Kosova po pret. Liria ka emër.”

Njoftimi i plotë:

“Liria Ka Emër” falënderon rreth 100 mijë qytetarë për Marshin për Liri: Më 16 shtator presim lirinë për çlirimtarët

12 shtator – Platforma qytetare “Liria Ka Emër” falënderon nga zemra rreth 100 mijë qytetarë që sot iu bashkuan Marshit për Liri në Prishtinë, duke e shndërruar kryeqytetin në një zë të fuqishëm për lirinë, drejtësinë dhe të vërtetën e luftës çlirimtare të Kosovës.

Qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare, nga çdo komunë e Kosovës, si dhe bashkatdhetarë nga diaspora, marshuan sot së bashku, pa dallime, me një mesazh të vetëm:

Liri për çlirimtarët!

Falënderojmë familjet e dëshmorëve, veteranët dhe invalidët e luftës, bashkëluftëtarët, qytetarët, diasporën, artistët, sportistët, përfaqësuesit politikë, organizatat, bizneset, mediat, vullnetarët dhe secilin që kontribuoi që ky marsh të ishte një manifestim i madh, paqësor dhe dinjitoz.

Sot Kosova dëshmoi edhe një herë se kur bëhet fjalë për lirinë, për UÇK-në dhe për njerëzit që morën përgjegjësinë për vendin në ditët më të vështira të historisë sonë, ne dimë të bëhemi bashkë.

Marshi i sotëm ishte një mesazh i fuqishëm solidariteti me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, por mbi të gjitha ishte një mesazh për të vërtetën, drejtësinë dhe historinë e Kosovës.

Tani sytë e Kosovës janë drejt 16 shtatorit.

Atë ditë, kërkesa jonë është e qartë:

Liri për Hashim Thaçin.
Liri për Kadri Veselin.
Liri për Jakup Krasniqin.
Liri për Rexhep Selimin.

Kosova ka pritur gjatë.

Sot, rreth 100 mijë qytetarë folën me një zë.

Në emër të popullit, shpalleni TË PAFAJSHËM!

Faleminderit Kosovë.
Faleminderit diasporë.
Faleminderit secilit që marshoi për lirinë.

Kosova po pret.
Liria ka emër./lajmi.net/