Rregullat për shikues në stadiume të Botërorit
FIFA i ka bërë të ditura rregullat që duhet të respektohen nga shijuesit në stadium, gjatë Botërorit 2014. Fishekzjarret, ushqimi, pijet apo pankartat e mëdha, s’do të lejohet të futen në stadium.
Sport
Shikuesit që duan t’i vizitojnë 12 stadiumet që do të zhvillohen ndeshjet e Botërorit, nuk do të mund të marrin me vete mjete piroteknike, fishekzjarre, ushqim, pije, parulla të mëdha apo objekte tjera.
FIFA e ka bërë të ditur kodin e mirësjelljes për Botëror, duke filluar nga java e ardhshme, ku përfshihet një listë e gjatë objektesh, të cilat nuk do të mund të futen brenda në stadiume.
Tifozët brazilianë shpesh kanë përdorur parulla të mëdha, për t’i përkrahur ekipet e tyre. Por, gjatë Botërorit, vetëm flamuj dhe pankarta jo më shumë se tri metra, do të lejohet të përdoren.
Vetëm ushqimi dhe pijet që do të blihen brenda stadiumit, do të pranohen. Gjithashtu, do të ndalohen instrumente që shkaktojnë zhurmë të madhe, përfshirë këtu edhe Vuvuzelat, që ishin bërë të famshme në Botërorin e Afrikës së Jugut.