RRËFIMI IM PËR KRIZËN NË VETËVENDOSJE!
Për 12 vite rresht, figura më e popullarizuar midis nesh ka qenë Albini. Pas fitores së parë në Prishtinë, kam kontribuar me mish e shpirt që Shpendi të mos e tejkalojë atë.
Lajme
Por, nuk do ta pranoj kurrë një qark të shkurtë e të mbyllur që po krijohet sot. Albin Kurti ka qenë figura simbolike për një PËRPJEKJE KOLEKTIVE, për kauza e synime të caktuara. Pa këtë ndërmjetësim nuk na duhet asnjë emër.
Përjetimi im në përballjen me problemin brenda Lëvizjes më duket se i pergjigjet tamam ngjarjes traumatike. Një ndeshje e papritur (encounter) që trazon dhimbshëm e pambarim shpirtin njerëzor. Asgjë kurrë më nuk do të jetë njejtë, edhe pse kjo mund të jetë gjëja që dëshiron më shumë, veçse rehabilitim e normalizim mund të ketë. Prandaj, si një nga besimtarët, dua ta filloj paraqitjen e qëndrimit duke rrëfyer copëza të dëshmisë time.
Lart e poshtë dëgjoja akuza çfarë nuk të shkrep mendja se mund të ndodhte brenda Lëvizjes ndonjëherë. Filani është bashkëpunëtor shërbimesh, tjetri është me të sepse shantazhohet prej tij, kurse tjetrën e kanë mashtruar. Për disa njerëz, ky problem nuk ishte problem, por një mundësi që pikon nga qielli. Duke fërkuar duart, filluan pa përtesë e nuk kanë ndaluar as sot së shpalluri spiunë, mikroborgjezë e tradhtarë..Sa më konstruktivë që ishin, sa më shumë përpiqeshin ta dëshmonin të kundërten, aq më të dyshimtë bëheshin disa prej shokëve. Disa herë jemi pajtuar për t’i ndaluar, por secila përpjekje veçse i ka rritur ato.
Për hir të vërtetës, asnjëherë Albinin nga këto gjëra nuk e kam dëgjuar të thotë. Publikisht në forume, por edhe në takime, qëndrimi i tij ka konsistuar në mohimin e ndonjë marrëveshjeje që mund të konsiderohet rekrutim nga filan agjentura, apo aksh agjendë e huaj. Porse, ai (Dardan Molliqaj) nuk ka dije e lexime të mjaftueshme, prandaj këta faktorë po e ndikojnë, rrjedhimisht edhe mund të përfundojë në agjenda të huaja. Ky lloj ligjerimi meriton kritikë të mprehtë. Askujt, pavarësisht përgatitjes teorike apo pozitës politike, kur gjykon nuk mund t’ia lejojmë pozicionin e të gjykuarit nga ajo që Lacan e quan ‘Gjykimi i fundit’, pikë referente që supozohet se njeh kuptimin dhe konsekuencat në ardhje të veprimeve tona aktuale, që pretendon se ka qasje në ligjësitë drejt realizimit të domosdoshmërisë historike. Për më keq, mjafton ta njohim një autoritet të tillë dhe pa asnjë fakt konkret, secilit mund t’i vëmë emra e ta etiketojmë. Kjo strukturë e mendimit nuk lë hapësirë lirie, kontingjence as subjektiviteti. Përkundrazi, vetë mungesa e këtij garanti nga “Tjetri i madh”, që duket se na lë të humbur e pa orientim, është mundësia më e mirë për një përvojë krijuese e pozicion të drejtë etik.
Shthurje vlerash politike
Përgjatë kësaj periudhe, sjelljet dhe marredhëniet ndërnjerëzore në Lëvizje kanë degraduar drastikisht. Një atmosferë patologjike dyshimi, fytyra të ngrysura, mungesë komunikimi e komunikim implicit përmes rrjeteve sociale.
Vlerat politike i kemi kthyer kokëposhtë. Nëse dikur ishte vlerë vetëmohimi dhe turp vetëpromovimi, sot përballemi me një shpërthim të paparë egosh e ambiciesh. Nuk është më turp të vraposh për vete. Madje, për pozicionim të caktuar edhe janë dhënë premtime. Tamam sikur indulgjenca dikur, të gjitha mëkatet të falen nëse e paguan tributin. Dikur tentonim së paku të farkëtonim kritikën e subjektivimin, sot shoh instrumentalizim e nënshtrim. Dikur flisnim për guxim, sot e kemi instaluar frikën. Për vete e kam përjetuar rëndë këtë proces prapakthimi e zhbërjeje të virtyteve, moralit (jo seksit) e sjelljes midis nesh. Unë kam qenë në eter po më thonë disa cinikë jashtë Lëvizjes që s’kanë besuar kurrë, por mua më pëlqen ende ta ruaj këtë besim.
Më duket së paku indikative që flitet aq shpesh për themelimin e themeluesit pikërisht tani. Për bëmat e atij apo këtij? Çfarë kuptimi ka kjo? Pse është e rëndësishme t’i dimë këto në mes të një diskutimi krejt politik-organizativ? Apo kjo është një mënyrë për të treguar se e kujt është? Ky është gabim fatal në të dy rrafshet, praktik dhe teorik. Le të nisim pra: është themeluar apo ka Ngjarë VETËVENDOSJE? Flasim për fushën e hapur, për Ngjarjen si zbulim i boshit (void) të situatës, apo për rrjedhën teleologjike me shkakun e parë? Është kontingjenca si subjekt dhe liri, apo domosdoshmëria historike? Përket VETËVENDOSJE! në rendin e profecisë, apo të mrekullisë? Me mënyrën e deritashme të vepruarit, jemi duke u përcaktuar për të parën, e duke e bërë këtë jemi duke ia vizatuar vetes kufijtë emancipues sepse jemi duke e mbyllur fushën. Autorë si Badiou, Zhizhek apo Agamben në VETËVENDOSJE! i kam mësuar. Një punë kolosale e ka bërë ky i pari pikërisht kundër aksiomës së themelimit. Të kallin datën kur e sheh që kanë përfuduar tek Figura e Njëshit pikërisht ata që referojnë autorë e libra të tillë. Njëri madje e kishte shprehur pa turp se nuk duhet hezituar ta ndërtojmë kultin e individit.
Për ta bërë të qartë, jam koshient për rëndësinë që kanë emrat konkretë në momente të caktuara. E di që proces i rëndësishëm, pothuajse i pashmangshëm në politikë është identifikimi. Për 12 vite rresht, figura më e popullarizuar midis nesh ka qenë Albini. Pas fitores së parë në Prishtinë, kam kontribuar me mish e shpirt që Shpendi të mos e tejkalojë atë. Por, nuk do ta pranoj kurrë një qark të shkurtë e të mbyllur që po krijohet sot. Albin Kurti ka qenë figura simbolike për një PËRPJEKJE KOLEKTIVE, për kauza e synime të caktuara. Pa këtë ndërmjetësim nuk na duhet asnjë emër. Askush, asnjëherë nuk ka pasur mëdyshje për kontributet e dhëna, fuqinë intelektuale, apo karizmën e tij. Në 12 vjet VETËVENDOSJE! jo. Ai ka qenë inspirim politik, pse jo edhe udhëzues teorik për shumicën prej nesh. Por, kurrë deri në këto zgjedhje, as në protesta, as në tubime zgjedhore, asnjë parrullë, asnjë emër nuk është brohoritur me shpesh sesa VETËVENDOSJE! E ky ndryshim nuk vjen nga shpërthimi spontan i masave. Ne që i dimë marifetet e tubimeve e brohoritjeve e dimë më së miri si bëhet kjo punë. Për kë rreh tupani e ndahen grupimet rrotull sallës për brohoritje, e për kë ndalon. Unë nuk e vras mendjen për ata që e bëjnë këtë, por më dhemb nëse këtë gje e ka ditur dhe e ka lejuar Albini.
Marrëdhënia e njëkahshme
Mu kujtua për dreq rrëfimi i një shoku mbi bisedën e gjatë me shokun me të cilin kishte ndarë shumë gjëra dikur. Pasi ishte shterruar gjithçka mbi zhvillimin e ngjarjeve, pasi ishte sheshuar gjithë problem, vjen pyetja domethënëse: me thuaj megjithatë, a është Albini i pazëvendësueshëm? Kjo është pyetja. Pyetja si instancë e fundit që zhvlerëson gjithë diskutimin. U përgjigje pozitivisht, mirë për ty. Nëse ndodh që nuk e honeps dot as si pyetje këtë mënyrë të thjeshtësuar problematizimi, apo thjesht përgjigjesh me një JO të inatosur, shpalljet i ke gati: oportunist, mikroborgjez, tradhtar, spiunë, armik i popullit. “Asnjë nuk është i pazëvendësueshëm” na tha Albini nga burgu. Nuk e di nëse pajtohen linçuesit me të?! Prej një viti ata kanë bërë e kanë thënë ndryshe.
Për të dëshmuar besnikëri ndaj Lëvizjes, gjithnjë e më pak të pyesin për koncepte, kauza a programe. Tash e kemi pyetjen e mësipërme. Pastaj, nëse duhet kështu, është legjitime të pyesim pse nuk kemi bërë kështu prej fillimit?! Ku qëndron problemi me kultin e personalitetit? Kur i mveshim veti hyjnore njeriut, marrëdhëniet normale ndërvepruese behen te pamundura. Nuk mund të ketë marrëdhënie nëse ajo është e njëkahshme. Nuk mund të ketë perplasje mendimesh e tension dialektik, kurse këto janë kushtet kryesore për një ambient të plleshëm e gjallërues, ku krijohet e prodhohet. Besnikëria s’mund të jetë personale, edhe nëse personi në fjalë është mishërimi më i përsosur i idesë. Kjo e përçudnon komunitetin e aktivistëve brenda Lëvizjes. Por, situata bëhet shqetësuese me dyert që hapen nga të tilla marrëdhënie. Më Lëvizja nuk është imune si më parë nga devijimi e ndryshimi i qëndrimeve. Nuk do të bie në pozita predeterminuese për të thënë se kjo do të ndodhë me siguri, unë këtu nuk e di, por me këto zhvillime krijohen kushtet.
Kur përballemi me përvojë të tillë traumatike, ajo i krijon kushtet dhe shkaqet e saj në mënyrë prapavepruese. Nuk është një njeri si kokë turku të cilin po e kryqëzuam do ta zgjidhim këtë situatë, siç nuk është një shpëtimtar si deux ex machina. Tashmë jam i bindur se problemin që e kemi te dera shpjegohet me formën tonë të organizimit e në kulturën politike që e kemi mbjellur tash 12 vjet. Për këtë jemi të gjithë fajtorë, kush më shumë e kush më pak. Për pararojën e për demokracinë, për të vërten zyrtare e mendimin kritik, për ortodoksinë e heterodoksinë, do të tregojmë një herë tjetër…
(Autori ka qenë anëtar i Kryesisë i Lëvizjes VETËVENDOSJE!)