Rrëfehet e mbijetuara, në pritje të vendimit gjyqësor për marrjen e pensioneve të dyfishta
Pas një beteje të gjatë ligjore, një e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ka filluar të marrë pensionet e dyfishta. Kjo është hera e parë që një e mbijetuar arrin të gëzojë dy pensione – atë si viktimë e dhunës seksuale, si dhe pensionin e moshës. Realizimi i pensionit të dyfishtë erdhi…

Lajme
Pas një beteje të gjatë ligjore, një e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ka filluar të marrë pensionet e dyfishta. Kjo është hera e parë që një e mbijetuar arrin të gëzojë dy pensione – atë si viktimë e dhunës seksuale, si dhe pensionin e moshës.
Realizimi i pensionit të dyfishtë erdhi pas vendimeve të Gjykatës Themelore e më pas të Apelit. Ky nuk është rasti i vetëm që përmes institucioneve të drejtësisë kërkohen të drejta. KosovaPress sjell rrëfimin e një gruaje tjetër, e cila tregon se para një viti ka ushtruar padi në Gjykatën Themelore, në mënyrë që të arrijë të marrë dy pensionet.
Dy vjet më parë, ajo ishte dashur të zgjidhte mes dy pensioneve. 67‑vjeçarja tregon se për këtë po kërkon drejtësi, edhe pse ky proces po e rëndon emocionalisht.
“Ka dëshirë nëse bëhet… shumë stres po na krijon duke i pritur, po presim,” thotë gruaja, e cila flet në kushte anonimiteti.
Që nga dita kur kuptoi se për herë të parë do të realizohej pensioni i dyfishtë, gruaja që u dhunua seksualisht nga serbët gjatë luftës në Kosovë lutet që edhe ajo një ditë të gëzojë këtë të drejtë.
“Ne jemi kënaqur shumë, jemi ndjerë të gëzueshme [për pensionet e dyfishta], sepse kur kemi aplikuar nuk na është aprovuar ky pension. Tash jam në gjyq, i kam dërguar dokumentet dhe kur të na kthehen, unë po ndjehem e gëzuar…,” shton ajo.
Para pak ditësh, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka njoftuar se ka filluar realizimi i pensioneve të dyfishta për një të mbijetuar të dhunës seksuale.
Fatmire Haliti nga kjo organizatë thotë se ky rast është përfaqësuar në të gjitha instancat gjyqësore.
“Tani në këtë muaj, njëra nga të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë i ka marrë të dy pensionet: pensionin e moshës, si dhe pensionin e viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Kjo është jetësuar falë një angazhimi të vazhdueshëm të organizatës, përfaqësimit të tyre nëpër të gjitha instancat gjyqësore dhe mekanizmat e institucioneve administrative, dhe tani fatmirësisht ky rast ka arritur të rezultojë pozitivisht dhe e mbijetuara këtë muaj ka filluar t’i marrë të dy pensionet”, deklaron ajo.
Mes tjerash, Haliti thotë se ky është rrugëtim i gjatë dhe plot sfida për të mbijetuarit e dhunës seksuale.
Ajo thekson se janë edhe mbi 10 padi të deponuara në Gjykatën Themelore dhe janë në pritje që të merret vendimi.
“Nga viti 2021 i kemi dorëzuar diku 12 padi deri më tani për raste të dhunës seksuale. Dhe vitin e kaluar Gjykata Themelore në Prishtinë ka shqyrtuar tri raste, dhe të triave ia njeh të drejtën në pension të dyfishtë: pensionin e viktimës së dhunës seksuale dhe pensionin e moshës, respektivisht pensionin kontributdhënës. Menjëherë pas marrjes së këtyre vendimeve, ku ne veç e kemi njoftuar opinionin dhe palët, departamenti i pensioneve nëpërmjet Avokaturës Shtetërore kishte bërë ankesë ndaj atyre aktgjykimeve, nuk i ka pranuar si të tilla për t’i zbatuar. Ankesa ka shkuar për t’u trajtuar në Gjykatën e Apelit. Nga viti i kaluar deri më tani tri rastet që ia ka njohur këtë të drejtë Gjykata Themelore janë në Gjykatën e Apelit, ku fatmirësisht për njërin rast është marrë vendim muajin e kaluar”, tregon Haliti.
Edhe pse Ligji për statusin dhe të drejtat e kategorive të dala nga lufta përcakton se përfitues të pensionit të viktimave të dhunës seksuale të luftës mund të jenë edhe shfrytëzuesit e pensionit bazë, që është i rregulluar me Ligjin për skemat pensionale, të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës janë detyruar të heqin dorë nga pensioni i moshës apo ai i viktimës, sepse shteti nuk i ka lejuar të marrin dy pensionet.