Rrahmani: Sulmet që po i bëhen Presidentes Osmani janë hakmarrje politike për shpërfaqjen që ajo i bëri Kurtit dhe VV-së

Ish-deputeti i Partia Demokratike e Kosovës, Eman Rrahmani, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje, duke i akuzuar se frikësohen nga zgjedhjet dhe humbja e pushtetit. Rrahmani ka shkruar se “Është e rëndë situata për dikë që nga plani dhe mundësia reale për kontroll totalitar të shtetit, sot kalon në fazën e…

Lajme

07/03/2026 13:06

Ish-deputeti i Partia Demokratike e Kosovës, Eman Rrahmani, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje, duke i akuzuar se frikësohen nga zgjedhjet dhe humbja e pushtetit.

Rrahmani ka shkruar se “Është e rëndë situata për dikë që nga plani dhe mundësia reale për kontroll totalitar të shtetit, sot kalon në fazën e viktimizimit dhe në një luftë të hapur për ta ruajtur pushtetin me çdo kusht”.

Ai ka theksuar se që nga dita e parë si deputet ka kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje, duke shtuar se “Nder më të madh Republikës së Kosovës nuk i është bërë prej kohësh sesa t’i kthehet vendimi qytetarëve”.

Rrahmani gjithashtu ka komentuar sulmet ndaj Presidentes Vjosa Osmani, duke i quajtur ato “hakmarrje politike për shpërfaqjen që ajo i bëri Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje”. Ai shton se Kurti dhe partitë e tij synonin “zgjedhjen e një presidenti kukull, eliminimin politik të Vjosa Osmanit dhe defaktorizimin e opozitës përmes numrave në Kuvend”.

“Një rrugë e tillë nuk quhet më demokraci, quhet autoritarizim me prirje drejt diktaturës. Koha e kalkulimeve dhe propagandes për pushtet po përfundon. Fjala duhet t’i kthehet qytetarëve”, ka përfunduar Rrahmani.

Postimi i plotë: 

Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje sot po frikësohen nga zgjedhjet dhe nga humbja e pushtetit.
Është e rëndë situata për dikë që nga plani dhe mundësia reale për kontroll totalitar të shtetit, sot kalon në fazën e viktimizimit dhe në një luftë të hapur për ta ruajtur pushtetin me çdo kusht.
Që nga dita e parë si deputet kam kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje. Nder më të madh Republikës së Kosovës nuk i është bërë prej kohësh sesa t’i kthehet vendimi qytetarëve. E ardhmja do të tregojë se Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj i shpëtuan një rruge me frymë ideologjike komuniste.
Sulmet që po i bëhen Presidentes Vjosa Osmani janë hakmarrje politike për shpërfaqjen që ajo i bëri Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Pas takimit të Presidentit Trump me Presidenten Osmani, në asnjë forum partiak të Vetëvendosjes nuk ka pasur diskutim për ta votuar si presidente. Përkundrazi, ka pasur angazhim dhe mobilizim që ajo të mos zgjidhej.
Albin Kurti ka qenë 100% i bindur se partitë opozitare nuk do të kishin guxim të shkonin në zgjedhje dhe do të detyroheshin të votonin, madje edhe kandidatë të tjerë si Fatmire Kollçaku për presidente.
Për ta kuptuar këtë, mjafton të ndiqni narrativën e deklarimeve të Kurtit, ministrave dhe deputetëve të tij deri para një jave.
Në këtë mënyrë do të arrinte të kompletonte qëllimin e tij për kontroll të plotë të shtetit, zgjedhjen e një presidenti kukull, eliminimin politik të Vjosa Osmanit dhe defaktorizimin e opozitës përmes numrave në Kuvend.
Një rrugë e tillë nuk quhet më demokraci quhet autoritarizim me prirje drejt diktaturës
Koha e kalkulimeve dhe propagandes për pushtet po përfundon.
Fjala duhet t’i kthehet qytetarëve./lajmi.net/