Rrahmani flet për kalimin në Serie A: Është një hap i madh

Amir Rrahmani është shumë afër zyrtarizimit për t’u bërë lojtar i ri në Hellas Verona.

Sport

26/06/2019 12:29

Mbrojtësi, i lindur në vitin 1994, është duke iu nënshtruar testeve mjekësore në qendrën multifunksionale Don Calabria në Verona, në fund të së cilës ai do të nënshkruajë kontratën që do ta lidhë atë me klubin nga Verona.

Sipas ekspertit të transferimeve Gianluca Di Marzio, kostoja e operacionit është rreth 2.1 milionë euro dhe Rrahmani do të nënshkruajë një kontratë katërvjeçare, raporton lajmi.net.

Por para se t’i nënshtrohej testeve, Rrahmani tha disa fjalë për aventurën e re.

“Është hap i madh për mua të transferohem në Itali, veçanërisht në Serie A dhe në Hellas Verona. Shpresoj të kem fillim të mbarë dhe të bëj ndeshje të mira dhe një sezon të mirë personalisht dhe me klubin. Forza Hellas!”

Mbrojtësi i Kosovës luajti 26 ndeshje për Dinamo Zagreb këtë sezon, duke shënuar tre gola dhe një asistim.

Në garë për shërbimet e mbrojtësit të Kosovës ishte edhe ekipi i Standard Liege. /Lajmi.net/