Role e mbushur me vezë të ziera dhe djathë kaçkavall
Receta që mund ta përgatisni për festat e fundvitit.
Lifestyle
Kjo është nga ato receta që më kthen pas në kohë, kur isha e vogël dhe përgatitej për festat e fundvitit. Më kujtohet që daja im, Bubi, e bënte shumë të shijshme, prandaj receta më poshtë frymëzohet nga gatimi i tij.
PËRBËRËSIT PËR 8 PERSONA: 1.5 kg mish viçi për role, 150 g djathë kaçkavall në feta të holla, 5/6 vezë, rigon, kripë e piper sipas nevojës, 3-4 lugë vaj ulliri, 200 g spek ose feta mortadele të prera hollë (ose mos i vini nëse nuk ju pëlqen), speca gogozhare të kulluara dhe të thara me letër nga lëngu i tepërt,1 grusht galetë – që të mbledhë lëngjet gjatë pjekjes, 2 grushte fëstëkë të kripur të pjekur,1 gotë verë e bardhë, degë trumzë ose 3-4 gjethe sherbele, lëng mishi i valuar, sipas nevojës (500 ml)
PËRGATITJA: 1 E presim mishin si libër për së gjati. E rrahim me rrahësen e mishit, e spërkasim me kripë e piper. Shtrojmë sipër spekun, fëstëkët, djathin, gogozhare, bukë të thekur të grirë mbi specat dhe për së gjati vëmë vezët e rigon mbi to. E rrotullojmë si role, e lyejmë me kripë e piper dhe e lidhim me spango kuzhine për së gjeri e për së gjati dhe fiksojmë disa degë trumze/sherbele te spangoja. Vëmë një tenxhere të gjerë, që ta marrë mishin në gjithë gjatësinë dhe pasi të ngrohim vajin e ullirit e skuqim me zjarr të mesëm mishin nga të gjitha anët për 6/7 minuta, duke e rrotulluar me lugë druri. E shuajmë me verë dhe pasi kjo e fundit të avullojë, shtojmë një garuzhdë lëng të valuar. 5I vëmë kapakun dhe e lëmë të ziejë me zjarr të ulët për 50/60 minuta afërsisht. Gjatë kësaj kohe e rrotullojmë herë pas here dhe e lagim me lëng të valuar, sipas nevojës. 6Pas kësaj kohe, e shpojmë mishin me majë thike thellë dhe nëse del lëng i bardhë, mishi është gati. E heqim nga tava, e mbulojmë me letër alumini që të rrijë ngrohtë dhe të rregullohen lëngjet në brendësi të tij, për 10 minuta. Pas kësaj kohe, heqim spangon dhe e presim në feta të holla. Shoqëroheni me patate të furrës ashtu siç bënte daja im dhe siç e do tradita shqiptare. /Living/
Nga Linda Fishta/Fotografia Armand Habazaj