Rizvanolli shkon në KEK: Njësia B2 pritet të rikthehet në funksion nesër

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se sot ka vizituar KEK’un ku ka parë punimet në remontin në Bllokun B1 në Termocentralin Kosova B. Ajo ka thënë se investimet e këtij viti do të rrisin kapacitetin e njësitë B2 për rreth 15 MW. “Në KEK vizitova punimet e remontit në Bllokun B1…

Lajme

09/04/2025 17:58

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se sot ka vizituar KEK’un ku ka parë punimet në remontin në Bllokun B1 në Termocentralin Kosova B.

Ajo ka thënë se investimet e këtij viti do të rrisin kapacitetin e njësitë B2 për rreth 15 MW.

“Në KEK vizitova punimet e remontit në Bllokun B1 në TC Kosova B, i cili po zhvillohet sipas planit dhe i paraprin fillimit të modernizimit të turbinës në Bllokun B2 që do të fillojë në fund të prillit. Investimet e këtij viti do t’ia rrisin kapacitetin e kësaj njësie për rreth 15 MW, ndërsa me përfundimin e plotë të rehabilitimit, TC Kosova B do t’i rritet kapaciteti për 80 MW, prodhimi vjetor për 600 GWh, si dhe jetëgjatësia për 20 vite.”

Rizvanolli ka shtuar se Blloku B2 është nxjerrë nga funksioni për shkak të një rrjedhje dhe se ky bllok pritet të rikthehet në funksion deri nesër në mëngjes.

“Gjatë vizitës gjithashtu u informova se në Bllokun B2 kishte një rrjedhje, si pasojë e së cilës blloku është dashur të nxirret jashtë funksionit mbrëmë pas mesnate. Megjithatë, ekipet janë duke punuar me intensitet të lartë dhe blloku pritet të rikthehet në funksion deri nesër në orën 08:00 të mëngjesit. Falënderova punëtorët dhe menaxhmentin, të cilët me vetëmohim po punojnë paralelisht në remontin e Bllokut B1 dhe në sanimin e rrjedhjes në Bllokun B2.”

KEK’u sot kur njoftoi për gjendjen e Njësisë B2 tha se ka “siguruar energji nga burime të jashtme”.