Risitë në listën e Kosovës – kthehet Kololli, ftohen Kurtulus, Rrudhani e Sahiti, mbesin jashtë Hadërgjonaj, Rashani e Selmani
Është publikuar sot lista me të ftuarit te kombëtarja e Kosovës, për ndeshjet e Ligës së Kombeve.

Sport
Dardanët do të kenë ndeshjet ndaj Qipros, Greqisë dhe Irlandës së Veriut gjatë muajit qershor, shkruan lajmi.net.
Për këto ndeshje, Alain Giresse ka publikuar listën me emrat që i ka ftuar në grumbullim. Aty vërehen disa ndryshime.
Emri që tërheq vëmendje të madhe është ai i Benjamin Kolollit, i cili është kthyer në listë. Larg vëmendjes në Superligën e Japonisë, por disi gjeti rrugën për t’u kthyer në listë.
Njësoj nuk ndodhi me Leart Paqaradën, i cili këtë sezon ishte spektakolar me skuadrën e St.Pauli në Bundesligën e dytë.
Jashtë mbeti edhe Elbasan Rashani që bëri mirë me skuadrën e Clermont, por edhe Florent Hadërgjonaj. Të dy këta të fundit ishin aktiv në fundjavë.
Emrat e rinj në listën e Kosovës janë Edvin Kurtulus, i cili deri më tani luante me U21, por ka bërë mirë me Hammarby. Po ashtu, Emir Sahiti ka pranuar përsëri ftesë. Për të mund të jetë grumbullimi i parë, pasi herën e kaluar që u ftua, u tërhoq si i lënduar. Risi është edhe Donat Rrudhani.
Jashtë listës mbeti edhe Astrit Selmani që në grumbullimin e kaluar gjeti golin. Ai ngeci pak në formën e tij te skuadra e Hammarby dhe nuk ka pasur momentet më të mira as në klub.
Përsëri mungon Bersant Celina, i cili duket se në nivelin ku po aktivizohet, edhe nëse bën paraqitje të mira në aspektin individual, vështirë se do ta bind dikë për ftesë. /Lajmi.net/