Rinumërimi – Deri tani, ia mori mandatin vetëm një deputeti
Nga rinumërimi i votave, mbi 80 mijë vota të kandidatëve kanë rezultuar të pasakta dhe të numëruara gabimisht në Qendrat Komunale të Numërimit. Nga këto vota të prekura, afërsisht 40 mijë u takojnë kandidatëve të Partisë Demokratike, rreth 15 mijë Vetëvendosjes, rreth 11 mijë Lidhjes Demokratike dhe rreth 4 mijë Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.…
Lajme
Nga rinumërimi i votave, mbi 80 mijë vota të kandidatëve kanë rezultuar të pasakta dhe të numëruara gabimisht në Qendrat Komunale të Numërimit.
Nga këto vota të prekura, afërsisht 40 mijë u takojnë kandidatëve të Partisë Demokratike, rreth 15 mijë Vetëvendosjes, rreth 11 mijë Lidhjes Demokratike dhe rreth 4 mijë Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Por, me gjithë vjedhjet brenda partiake, mandatet e deputetëve brenda partive, janë të njëjta. Dallaveret që dolën në pah përmes vjedhjes së votave të kandidatëve brenda partive, deri tash nxorën nga parlamenti i Kosovës vetëm deputetin turk, Fikrim Damkën, vendin e të cilit e ka zënë bashkëpartiaku i tij, Ergul Mazrek.
Manipulimi me vota ka ndodhur në dy forma, përmes shtimit të votave drejtpërsëdrejti në sistem nga numëruesit në rastet kur qytetarët kanë votuar më pak se 10 kandidatë dhe në marrjen e votave nga një kandidat e duke ia numëruar tjetrit, brenda partisë. E gjithë kjo bëri të nisin hetimet në disa komuna, ku shumë komisionarë e vëzhgues përfunduan edhe në paraburgim, ndërkohë që në gjithë këtë zhurmë asnjë nga deputetët, emrat e të cilëve kanë spikatur me dallime të mëdha në vota, ende nuk janë ftuar nga prokuroria, ndonëse nuk është përjashtuar mundësia për që edhe ata të jenë pjesë e intervistimeve.
Gjatë rinumërimit së fundmi të votave të Podujevës, është identifikuar një numër i madh i votave që s’përputhen me rezultatin e numërimit në fillim.
Kandidatit të Vetëvendosjes, Ejup Maqedoncit i janë hequr -404 vota. Nga e njëjta parti, vota u hoqën edhe deputetëve, Vendenis Lahut -378 vota, Adelina Stubllës -226 vota, e Albin Kurtit -96 vota.
Në radhët e Partisë Demokratike, kandidates Ditjona Statovci, i janë hequr 187 vota. Situatë e ngjashme me kandidatët e VV-së është edhe në Obiliq. Aty Gazmend Krasniqit i janë hequr -362 vota, Adelina Graincës -295 vota, e Enver Dugollit -106 vota.
Rinumërimi shënon sot ditën e 17-të, ndërsa nesër pritet të përmbyllet i tërë procesi i rinumërimit, megjithatë nuk dihet ende se kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund t’i shpallë rezultatet përfundimtare.
Pas përfundimit të rinumërimit do të fillojnë afatet për ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, si dhe në Gjykatën Supreme. Afate për ankesa do të ketë edhe pas përfundimit të këtyre procedurave dhe pas shpalljes së rezultateve përfundimtare.