Rinor Bugujevci, në bashkëpunim me studentin Zijahudin Elezi, i dërgon letër eurodeputetit kroat për çështjen e gjuhës shqipe në RMV

Kryetari i Klubit të të Rinjve Shqiptarë në Kroaci, Rinor Bugujevci, i ka dërguar një letër eurodeputetit kroat Davor Ivo Stier, duke kërkuar mbështetje dhe angazhim institucional lidhur me çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimin shtetëror të jurisprudencës në Maqedonia e Veriut. Letra është hartuar në bashkëpunim me studentin Zijahudin Elezi nga Lëvizja…

Lajme

24/06/2026 21:35

Kryetari i Klubit të të Rinjve Shqiptarë në Kroaci, Rinor Bugujevci, i ka dërguar një letër eurodeputetit kroat Davor Ivo Stier, duke kërkuar mbështetje dhe angazhim institucional lidhur me çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimin shtetëror të jurisprudencës në Maqedonia e Veriut.

Letra është hartuar në bashkëpunim me studentin Zijahudin Elezi nga Lëvizja Studentore dhe trajton shqetësimet e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët prej muajsh po protestojnë në mënyrë paqësore për të drejtën që provimin e jurisprudencës, përkatësisht provimin e shtetit, ta japin në gjuhën shqipe, raporton lajmi.net

Në letër theksohet se shqiptarët përbëjnë rreth 29.5 për qind të popullsisë së vendit, janë popull autokton dhe bashkëthemelues i shtetit, ndërsa gjuha shqipe gëzon status zyrtar në nivel shtetëror. Gjithashtu, autorët rikujtojnë se ky status buron nga Marrëveshja e Ohrit dhe nga dispozitat kushtetuese që garantojnë përdorimin zyrtar të gjuhëve të folura nga të paktën 20 për qind e popullsisë.

Sipas letrës, vonesa në lejimin e provimit në gjuhën shqipe përbën jo vetëm një pengesë administrative, por edhe një problem më të gjerë që lidhet me përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve në institucione dhe me respektimin e të drejtave gjuhësore. Autorët argumentojnë se kufizime të tilla bien ndesh me standardet evropiane për mosdiskriminim, barazi dhe qasje të barabartë në profesionet juridike.

Në kërkesën drejtuar eurodeputetit Stier, Bugujevci dhe Elezi kërkojnë që kjo çështje të ngrihet në institucionet evropiane, përfshirë Parlamenti Evropian dhe Komisioni për Punë të Jashtme (AFET). Ata gjithashtu kërkojnë që raportet vjetore të progresit për Maqedoninë e Veriut të trajtojnë në mënyrë konkrete respektimin e të drejtave gjuhësore dhe përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore.

“Mbështetja e institucioneve evropiane do të ishte një sinjal i qartë se standardet evropiane vlejnë në praktikë dhe jo vetëm në dokumente”, thuhet ndër të tjera në letër./Lajmi.net/