Rimëkëmbja ekonomike në pandemi u dëmtua nga politizimi

Pakoja emergjente u shfrytëzua për konsum, ndërsa Ligji për Rimëkëmbje jo i keq – por u vonua për shkaqe politike.

Lajme

04/01/2021 08:22

Efektet e pakos emergjente fiskale si dhe pakos së rimëkëmbjes, të miratuara nga Qeveria e Kosovës, si ndihmë për qytetarët dhe bizneset për zbutjen e krizës së shkaktuar nga pandemia, kanë dhënë rezultate “të prekshme”, sipas zyrtarëve qeveritarë.

Por, njohës të fushës ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve vlerësojnë së këto pako ishin të vonuara, efekti i tyre ishte i vogël pasi paratë shkuan kryesisht në konsum.

Qeveria e Kosovës ka ndarë deri më tani 280 milionë euro në total si pjesë e ndihmës për rimëkëmbje ekonomike nga pandemia, efekti i të cilave sipas zëvendësministrit të Financave, Agim Krasniqi, ka qenë i dukshëm.

Por, sipas tij, ky efekt do të ishte më i madh sikur votimi i Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike të mos bllokohej nga opozita.

“Këtë vit janë ndarë rreth 280 milionë në total për Pakon për Rimëkëmbje Ekonomike. Prej tyre janë realizuar rreth 250 milionë euro pagesa. Nëse e shikojmë efektin, në kuptimin ekonomik, ekziston një mbulesë e humbjes që ka qenë – po vlerësohet prej ATK-së rreth 1.2 miliard – do të thotë janë mbuluar një pjesë e atyre. Efekti do të kishte qenë shumë më i madh nëse do të miratohej në kohë, Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se një pjesë e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike, që lidhet me buxhetin s’mund të fillojë së zbatuari pa miratimin e buxhetit për vitin 2021, dhe për këtë u ka bërë thirrje deputetëve që të votohet buxheti.

Së shpejti funksionalizohet Fondi për Garantimin e Kredive

“Në kuadër të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, janë disa nene që nuk kanë të bëjnë me buxhetin e shtetit e që kanë filluar të zbatohen, siç është tërheqja e mjeteve nga Trusti Pensional i Kosovës. Por janë edhe disa pjesë që janë brenda ligjit të cilat kërkojnë miratim të buxheti”, ka thënë ai.

Krasniqi ka bërë të ditur se së shpejti do të funksionalizohet Fondi për garantimin e kredive në mënyrë që sektori privat të ketë qasje më të lehtë në kapital.

Sipas tij, për këtë fond të Qeveria do të ndajë fillimisht rreth 182 milionë euro.

“Qeveria do të ndihmojë me rreth 182 milionë, por në kuadër të ligjit ajo duhet të rritet dhe mund të shkojë deri 260-280 milionë”, është shprehur Krasniqi.

Zëvendësministri ka treguar se parashihet që më pakon e re të ketë shtim të subvencioneve për ndërmarrjet, si dhe ndihmë prej tre muajve për punëtorët që kanë humbur vendin e punës nga shkurti deri në fund të vitit 2020./EO