Rikthimi i shumëpritur i “Piratit”, sulmuesi kosovar pritet të luajë ndaj Sturm Grazit

Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, pritet të bëjë paraqitjen e parë pas rikthimit te Fenerbahçe në përballjen ndaj Sturm Grazit në kuadër të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Sipas mediave turke, emri i Muriqit është përfshirë në listën që Fenerbahçe ia ka dorëzuar UEFA-s për ndeshjet ndaj skuadrës austriake. Mediumi…

Sport

31/07/2026 21:27

Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, pritet të bëjë paraqitjen e parë pas rikthimit te Fenerbahçe në përballjen ndaj Sturm Grazit në kuadër të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Sipas mediave turke, emri i Muriqit është përfshirë në listën që Fenerbahçe ia ka dorëzuar UEFA-s për ndeshjet ndaj skuadrës austriake. Mediumi turk Fanatik raporton se sulmuesi kosovar ka avancuar në procesin e rikuperimit dhe është pranë rikthimit në stërvitje me ekipin.

“Vedat Muriqi, i cili vazhdon stërvitjen nën mbikëqyrjen e ekipit mjekësor të klubit, raportohet se është rikuperuar nga lëndimi. Sulmuesi, i cili është afër përfundimit të programit individual, pritet së shpejti të fillojë stërvitjet me ekipin”, ka shkruar Fanatik.

Sipas të njëjtit medium, stafi teknik i Fenerbahçes do ta vlerësojë gjendjen fizike të Muriqit para se të vendosë nëse ai do të jetë i gatshëm për ndeshjen e 5 gushtit ndaj Sturm Grazit.

Muriqi u lëndua në muskulin e këmbës së djathtë gjatë kampit përgatitor, ndërsa këtë verë u rikthye te Fenerbahçe pas paraqitjeve të suksesshme në futbollin spanjoll.