Rikonfirmimi i mbështetjes Turke

Turiqa rikonfirmoi mbështetjen e saj për Kosovën. Zëvendëskryeministri i Turqisë, Emrullah Isler, premtoi përkushtimin e këtij shteti në proceset e zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Lajme

22/04/2014 18:48

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi është takuar me Zëvendëskryeministrin e Turqisë, Emrullah Isler, ku kanë biseduar për thellimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Turqisë dhe për mbështetjen e këtij shteti në afirmimin e mëtejmë ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.

Në takimin, Kryeministri Thaçi e informoi zëvendëskryeministrin turk për përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për qeverisje të mirë, për fuqizimin e shtetit demokratik, të sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Emrullah Isler, falënderoi kryeministrin Thaçi për pritjen e përzemërt dhe shprehu qëndrimin e Qeverisë së Turqisë që mbështetja e shtetit turk në proceset e zhvillimit ekonomik të Kosovës do të vazhdojë të jetë edhe më e madhe.

Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan lartë marrëdhëniet ndërshtetërore mes Kosovës dhe Turqisë, dhe shprehën vullnetin politik të të dy qeverive për të avancuar edhe më shumë këto marrëdhënie, me theks të veçantë në fushën e zhvillimit ekonomik. (KosovaPress)