Rigjykimi në Bruksel ndaj tre serbëve për vrasjen e veprimtarit Enver Hadri, Xhafer Shatri thotë se ka dëshmuar si dëshmitar i prokurorisë

Në Bruksel po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj tre serbëve të cilët gjykata e krimeve të rënda në kryeqytetin belg para 9 vitesh i ka dënuar me burgim të përjetshëm. Veprimtari Xhafer Shatri, nëpërmjet një shkrimi në Facebook ka bërë me dije se dy ditë më parë ka qenë dëshmitar në këtë proces. Ai nuk ka…

Lajme

24/01/2025 08:31

Në Bruksel po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj tre serbëve të cilët gjykata e krimeve të rënda në kryeqytetin belg para 9 vitesh i ka dënuar me burgim të përjetshëm. Veprimtari Xhafer Shatri, nëpërmjet një shkrimi në Facebook ka bërë me dije se dy ditë më parë ka qenë dëshmitar në këtë proces.

Ai nuk ka dhënë shumë hollësi rreth dëshmisë së tij, por ka theksuar se në këtë “dosje ka aq shumë argumente, sa që mjafton vetëm t’i renditësh”.

Tre ditë më parë në Gjykatën e Apelit në Bruksel ka dëshmuar edhe Xhavit Haliti i cili ka shkruar se beson që të dyshuarit Bozhidar Spasiq, Veselin Vukotiq dhe Andrija Drashkoviq do të ridënohen me burgim të përjetshëm.

Shkrimi i plotë i Xhafer Shatrit:

BETEJA E FUNDIT E ENVER HADRIT ME SERBINË
1.
Ka tri javë që në Gjykatën e Krimeve të Rënda, në Bruksel, po rigjykohen vrasësit e Enver Hadrit; Bozhidar Spasiq, Veselin Vukotiq dhe Andrija Drashkoviq. Asnjëri prej tyre nuk janë në bangën e zezë. Sepse Serbia po vazhdon ta refuzojë ekstradimin e tyre.
Më 2016, po kjo Gjykatë i pati dënuar me burg të përjetshëm që të tre. Aktgjykimin e kontestuan dy prej tyre, Vukotiq dhe Drashkoviq. Ndërkaq, në fund të procedurës së ankimimit mbeti vetëm Andrija Drashkoviq.
Për ata që i njohin rrethanat dhe dosjen sidomos, nuk do të kishte vijim ose shqyrtim gjyqësor të kësaj procedure penale, po të mos ishte familja e Enver Hadrit, e sidomos këmbëngulja kreshnike e vajzës së tij, Teutës.
Me këtë rast nuk duhet harruar as pjesëtarët e gjeneratës së re në organet e drejtësisë belge, të cilët e të cilat nuk pranuan që profesioni i tyre të përdredhet në pazarin e politikës dhe diplomacisë. Por i shkuan punës deri në fund. Derisa e zbardhën në plotni këtë krim të rëndë që Serbia e kreu në kryeqytetin e Evropës.
2.
Dy ditë më parë, në cilësinë e dëshmitarit të prokurorisë, dëshmova para Trupit Gjykues.
Të hysh në një sallë të madhe, para një Gjykate të shumë respektuar e me juri dhe ta shohësh aty familjen e Enver Hadrit të raskapitur por krenare në përpjekjet e saj 35 vjeçare për ta vënë drejtësinë në vend, është një përjetim më shumë se i vështirë.
Por edhe një rast me shumë përparësi. Sepse në këtë dosje ka aq shumë argumente, sa që mjafton vetëm t’i rënditësh.
Dhe ky është një përjashtim i rrallë, sepse askush si Serbia nuk di t’i fshehë gjurmët e krimeve të saj të shumta e të përgjakshme.
Edhe po të jesh japonez apo jugafrikan që ndoshta s’e di mirë as kah i bie Beogradi, mjafton ta lexosh librin e Edith Durham «Krimi në Sarajevë» për ta kuptuar se sa e zhdërvjelltë është Serbia në gjuajtjen e gurit e në fshehjen e dorës.
3.
Udhëheqja serbe kishte vendosur ta vriste Enver Hadrin me çdo çmim. Sepse ai me veprimtarinë e tij i dëmtonte substancialisht synimet e saj. Para institucioneve dhe personaliteteve evropiane me ndikim, Enver Hadri i zhveshte planet e Millosheviqit që mëtonte ta bëjë Serbinë e Madhe në dëm të popujve të tjerë dhe, mundësisht, me ndihmën e Evropës…
Për këtë qëllim, elitat serbe po përgatiteshin intensivisht edhe për luftë.
Prandaj, për njohësit e rrethanave, shpërthimi i luftërave në ish-Jugosllavi, praktikisht fillon me vrasjen e Enver Hadrit.
Më 25 shkurt 1990 gangsterët, që i kishte angazhuar UDB, arritën ta vrasin Enver Hadrin. Ata ishin Andrija Drashkoviq, Vesko Vukotiq, Darko Ashanin dhe Andrija Llakoniq. Këta ishin ajka e nëntokës së Beogradit; krejt biografia e tyre ishte e mbushur me dosje të zeza: vrasje, plaçkitje, përdhunime…
Vrasjen e kishte përgatitur Bozhidar Spasiq, përgjegjës për operacione speciale në Drejtorinë e Dytë të Shërbimit Federal të Sigurimit të Shtetit. Kjo Drejtori merrej ekskluzivisht me operacione jashtë. Në këtë funksion, Spasiq ua kishte nxjerrë vrasësve pasaportat me emra të rrejshëm, i kishte furnizuar me të holla dhe mjete të tjera, përfshirë armët dhe fishekët special dhe, përmes rrjetit të spiunëve, ua kishte përgatitur, deri në hollësi, terrenin për ekzekutimin e Hadrit.
4.
Një muaj më vonë, konkretisht më 23 mars 1990, në klubin “Nana”, në Beograd, që ishte strofull i elitave të mafias serbe, plasi sherri në mes vrasësve të Enver Hadrit. Në atë qërim hesapesh mbeti i vrarë Andrija Lakoniq. Fillimisht përgjegjësinë e mori Darko Ashanin, por më vonë ai u zëvendësua në përgjegjësi penale nga Vesko Vukotiq. Sipas të gjitha gjasave, vrasja ishte kryer me armën me të cilën e kishin vrarë Enver Hadrin…
Për ta përzgjedhur ekipin e vrasësve Bozhidar Spasiqit i kishte ndihmuar Miroslav Bizhiq, shef i sektorit për delikuentët e mitur në Sekretariatin e Punëve të Brendshme të Beogradit. Ky bashkëpunim kishte ndezur rivalitetin mes UDB-së Federale dhe asaj Republikane. Kjo e fundit përmes rrjetit të spiunëve në mediet e Beogradit, e nxori në publik prapavinë politike të qërimit të hesapeve të mafiozëve serbë në klubin “Nana”.
Në këtë mënyrë u zbuluan dhe u identifikuan vrasësit e Enver Hadrit. Natyrisht, këta i takonin vetëm njërit prej katër grupeve që ishin të implikuar në këtë krim…
Për shkaqe që është vështirë të shpjegohen, Bozhidar Spasiq e zbardhi në një masë të mirë këtë dossier përmes librit “Lasica koja govori” (Bukla që flet), por edhe përmes intervistave të shumta, ku dha detaje burimore për organizimin dhe ekzekutimin e Enver Hadrit. Dhe jo vetëm…
5.
Kësaj radhe, megjithatë kishte disa dallime nga gjykimi i parë.
• Në rigjykim, njëri prej të akuzuarve, Andrija Drashkoviq, i kishte përzgjedhur dy avokatë të dy kabineteve më të njohura të avokatisë në Belgjikë;
• Njëri prej avokatëve të Familjes Hadri, ishte shqiptar me emrin antik: Sokol;
• Qeveria e Kosovës e kishte mbështetur financiarisht Familjen Hadri. Kjo mbështetje ka peshë të veçantë morale për të dhe përpjekjet e saj 35 vjeçare për ta vënë drejtësinë në vend;
• Gjatë gjykimit disajavor, aty vazhdimisht po merrnin pjesë dy diplomatë të Kosovës; herë pas herë aty ishte i pranishëm edhe ambasadori ynë në Bruksel, ShT. Agron Bajrami.
Po ta krahasosh këtë kohë me kohën kur u vra Enver Hadri, dallimi është epokal.
Në këtë luftë të mundimshme po heroike të Kosovës e të shqiptarëve me Serbinë, ku përthuren pashmangshëm veprimtaria dhe vrasja e tij, Enver Hadri del fitimtar.
Ai, edhe për së vdekuri, po e bën dhe po e fiton betejën e tij me Serbinë.
Peut être une image de 1 personne, barbe et lunettes
All reactions:

42