Ribery brengos Francën

Franck Ribery vazhdon të ketë probleme me shpinën. Ylli i Francës nuk është stërvitur sot dhe pritet të mungojë në miqësoren e fundit kundër Xhamajkës të dielën, para nisjes për në Brazil për Kampionatin botëror.  

Sport

05/06/2014 23:05

Shtohen brengat rreth gjendjes fizike të mesfushorit Franck Ribery.

Ylli i Francës ka munguar në stërvitjen e sotme në Clairefontaine, si rezultat i problemit të vazhdueshëm në shpinë, ka njoftuar e përditshmja sportive franceze L’Equipe.

Futbollisti i Bayern Munichut vështirë se do të luajë në miqësoren e fundit kundër Xhamajkës në Lille të dielën, para nisjes për në Kampionatin botëror në Brazil.

Mirëpo, selektori Didier Deschamps shpreson që Ribery të rikuperohet me kohë për ndeshjen e parë në Botëror kundër Hondurasit.

Ribery është një prej futbollistëve kryesorë të Francës dhe problemet e tij fizike janë brengë e madhe për ekipin që mbështetet tek prezenca e tij në kërkim të rezultateve pozitive në Brazil.

Në grup me Francën, përveç Hondurasit janë edhe Zvicra e Ekuadori.