Rexhep Selimi shfaqet me kollare me motive shtetërore në seancën e Speciales
Në kuadër të Dhomave të Specializuara në Hagë po zhvillohet edhe sot seanca gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Por kjo seancë u ndërpre për shkak të gjendjes shëndetësore të ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili raportohet të jetë sëmurë. E në sallën e gjyqit në seancën e sotme është paraqitur edhe Rexhep Selimi, i cili vendosi…

Lajme
Në kuadër të Dhomave të Specializuara në Hagë po zhvillohet edhe sot seanca gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Por kjo seancë u ndërpre për shkak të gjendjes shëndetësore të ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili raportohet të jetë sëmurë.
E në sallën e gjyqit në seancën e sotme është paraqitur edhe Rexhep Selimi, i cili vendosi një kollare të veçantë.
Ai është parë me kollare ngjyrë të kaltër, e cila pati edhe motive shtetërore për nder të 17 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Kurse Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi patën po ashtu kollare, por me ngjyrë të kuqe.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor./Lajmi.net/