“Rënia morale filloi kur gruaja doli nga shtëpia” – kush është predikuesi i shoqëruar nga Policia në Kosovë

Predikuesi islam nga Bosnjë e Hercegovina, Elvedin Peziq, është shoqëruar nga Policia e Kosovës për intervistim informues, para një aktiviteti që ishte planifikuar të mbahej në Vitomiricë të Pejës. Sipas organizatorëve, ai ishte transferuar në një stacion policor në Prishtinë dhe pritej të mbahej deri në gjashtë orë për verifikimin e identitetit. Qëllimi i vizitës…

Lajme

14/08/2026 09:28

Predikuesi islam nga Bosnjë e Hercegovina, Elvedin Peziq, është shoqëruar nga Policia e Kosovës për intervistim informues, para një aktiviteti që ishte planifikuar të mbahej në Vitomiricë të Pejës. Sipas organizatorëve, ai ishte transferuar në një stacion policor në Prishtinë dhe pritej të mbahej deri në gjashtë orë për verifikimin e identitetit.

Qëllimi i vizitës së tij, sipas organizatorëve, ishte promovimi i një libri. Bashkë me të ishte shoqëruar edhe predikuesi Mithad Qeman, ndërsa aktivitetet e tyre ishin planifikuar në Vitomiricë ( Pejë), Dobrushë ( Istog) dhe më pas në Reçan ( Dragash).

Por kush është Elvedin Peziq dhe pse emri i tij ka shkaktuar reagime edhe më herët në rajon?

Peziq prej vitesh është aktiv si predikues islam dhe ka krijuar një audiencë të madhe në rrjetet sociale. Në Facebook numëron mbi 300 mijë ndjekës dhe njihet për komentet dhe këshillat e tij fetare, por edhe për qëndrime që disa herë kanë nxitur polemika në Bosnjë e Hercegovinë shkruan Klix.ba

Ai përshkruhet si predikues konservator që identifikohet me rrymën selefiste shkruajnë mediat boshnjake.

Një nga polemikat më të mëdha lidhej me deklaratat e tij për rolin e gruas në shoqëri.

Në vitin 2021, Peziq kishte shkaktuar reagime të shumta pasi kishte deklaruar se, sipas tij, rënia morale e shoqërisë perëndimore kishte filluar kur gruaja ishte larguar nga shtëpia dhe ishte bërë “gjithçka tjetër përveçse nënë”. Deklarata kishte nxitur kritika të forta në rrjetet sociale dhe debat mbi të drejtat e grave, arsimimin dhe pjesëmarrjen e tyre në jetën profesionale e shoqërore.

“Shoqëria perëndimore u rrënua moralisht në momentin kur gruan e nxorën nga shtëpia dhe kur gruaja u bë gjithçka tjetër përveçse nënë”, kishte shkruar ai në një status në Facebook.

Ndaj këtyre qëndrimeve kishte reaguar edhe Bashkësia Islame e Bosnjë e Hercegovinës, e cila kishte vlerësuar se pikëpamje të tilla nuk janë në përputhje me mësimet islame për të drejtat dhe detyrimet e grave myslimane.

Peziq më pas kishte mbrojtur qëndrimet e tij, duke argumentuar se kritikat ndaj modelit të familjes dhe shoqërisë moderne nuk vijnë vetëm nga qarqet fetare, por edhe nga autorë dhe mendimtarë perëndimorë.

Shoqërimi i tij nga Policia e Kosovës e ka rikthyer kështu në vëmendje profilin dhe deklaratat kontroverse që e kanë përcjellë prej vitesh në Bosnjë e Hercegovinë dhe në rajon. Deri në informacionet e publikuara, bëhet fjalë për shoqërim për intervistim dhe verifikim, ndërsa nuk është konfirmuar se ndaj tij është ndërmarrë masë arresti.

Për këtë ka shkruar edhe gazetari Enver Robelli duke dhënë detaje shtesë.

Çka u raportua fillimisht për arrestimin e tij?

Predikuesi i fesë islame nga Bosnjë e Hercegovina, Elvedin Peziq, është shoqëruar të enjten nga Policia e Kosovës për intervistim informues, para një aktiviteti që ishte planifikuar të mbahej në Vitomiricë të Pejës.

Lajmin për Radion Evropa e Lirë e konfirmoi Rexho Kojiq, nga organizata joqeveritare “Vullnetarët e Rinj” nga Kosova, organizatore e aktivitetit ku Peziq pritej të merrte pjesë të enjten.

“Tani e kanë transferuar në stacionin policor në Prishtinë. Nuk e dimë se çfarë do të ndodhë më tej, pasi urdhri ka ardhur nga Prishtina. Ai ka hyrë rregullisht në Kosovë, përmes pikëkalimit kufitar në Kullë [pikëkalim kufitar me Malin e Zi], sot rreth mesditës, me dokumente të Bosnjë e Hercegovinës”, tha Kojiq për REL-in.

Sipas tij, ishte shoqëruar edhe Mithad Qeman, po ashtu predikues islamik, por ai ishte liruar menjëherë.

Kojiq tha se nga Policia i ishte thënë se nuk kishte nevojë për angazhimin e një avokati dhe se Peziq do të mbahej për gjashtë orë për verifikimin e identitetit.

Ai tha se qëllimi i vizitës së Peziqit në Kosovë ishte promovimi i një libri dhe se Policia e kishte pyetur nëse kishte leje nga Bashkësia Islame e Kosovës për mbajtjen e aktivitetit.

“Ai nuk është hoxhë në ndonjë xhami dhe nuk kishte nevojë për një leje të tillë. Bëhej fjalë për promovimin e një libri”, tha Kojiq.

Peziq kishte njoftuar se do të ligjëronte në Dobrushë, në Istog, dhe në këtë ngjarje do të merrte pjesë edhe Mithad Qeman, i cili do të promovonte një libër.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Policisë së Kosovës për konfirmimin e rastit dhe për më shumë informacione, por ende nuk ka marrë përgjigje.

Kush është Elvedin Peziq?

Elvedin Peziq prej vitesh është aktiv në hapësirën online si “predikues fetar islam”, i njohur shpesh për qëndrime kontroverse, të cilat i shpreh edhe gjatë ligjëratave në Bosnje e Hercegovinë dhe në vendet e rajonit.

Ai konsiderohet një nga predikuesit konservatorë që e identifikojnë veten si selefi.

Fjala “selef” në gjuhën arabe e ka kuptimin “të parët” dhe u referohet tri gjeneratave të para të myslimanëve apo pasuesve të profetit Muhamed dhe ndjekësit e rrugës së këtyre tri gjeneratave e quajnë veten “selefi”.

Peziq konsiderohet gjithashtu një nga të ashtuquajturit “da’i” (person që fton të tjerët t’i bashkohen islamit) më të njohur në Bosnje e Hercegovinë.

Vetëm në Facebook, Peziq ka më shumë se 300 mijë ndjekës, ndërsa është aktiv edhe në platforma të tjera, ku thotë se jep udhëzime dhe këshilla fetare, u përgjigjet pyetjeve të ndjekësve dhe komenton apo reagon ndaj ngjarjeve dhe dukurive të ndryshme shoqërore.

Bashkësia Islame e Bosnje e Hercegovinës kishte reaguar më herët ndaj një postimi të Peziqit, në të cilin ai kishte thënë se “shoqëria perëndimore është rrënuar moralisht” kur gruaja “është nxjerrë nga shtëpia” dhe është bërë “gjithçka, përveçse nënë”. Bashkësia Islame e Bosnjës kishte vlerësuar se këto qëndrime nuk janë në përputhje me mësimet e Islamit për të drejtat dhe detyrimet e grave myslimane.

Qëndrimet e Peziqit janë kritikuar shpesh nga opinioni publik në Bosnje e Hercegovinë.

Kojiq tha për REL-in se ka “interpretime të ndryshme” lidhur me rastin, por shtoi se, si organizator, është i njohur me veprimtarinë e Peziqit dhe se, sipas tij, ai nuk paraqet “rrezik për sigurinë e Kosovës”.

“Po të kishte pasur çfarëdo indikacioni për diçka të tillë, ne nuk do ta kishim mbështetur një tubim të tillë”, tha Kojiq.

Peziq dhe Qeman ishte planifikuar që të enjten të promovonin librin në Vitomiricë, në komunën e Pejës, e më pas edhe në Dobrushë, në komunën e Istogut. Një ditë më vonë, ata pritej të zhvillonin një aktivitet të ngjashëm edhe në Reçan, në rajonin e Prizrenit.