Rënia e votave – Gërvalla arsyetohet, thotë se “punët e shpejta nuk të lënë shumë kohë të flasësh për arritjet”

“Reformat e shpejta dhe punët e shpejta nuk të lënë shumë kohë të flasësh për arritjet”. Kjo ishte përgjigja e ministres në detyrë të Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, kur u pyet se pse koalicioni Lëvizja Vetëvendosje, Lista Guxo dhe Alternativa, kanë pësuar një rënie prej rreth 8 për qind në raport me…

Lajme

17/06/2025 18:27

“Reformat e shpejta dhe punët e shpejta nuk të lënë shumë kohë të flasësh për arritjet”.

Kjo ishte përgjigja e ministres në detyrë të Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, kur u pyet se pse koalicioni Lëvizja Vetëvendosje, Lista Guxo dhe Alternativa, kanë pësuar një rënie prej rreth 8 për qind në raport me zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Në këtë kontekst, Gërvalla njoftoi se gjatë mandatit katërvjeçar e ka këshilluar ekipin e saj të ngushtë që të mos flas për punët e bëra, por të shoh përpara.

“Një qeveri e cila gjatë një katërvjeçari është dashur të merret me shumë gjëra përnjëherë, por pa arritur në të njëjtën kohë të prezantojë punën dhe sukseset e saja. Dhe aty në mënyrë autokritike nisem nga vetvetja se gjithmonë kur kam pasur alternativa ta kryejë një punë apo të flasim për punët e bëra, gjithmonë ekipit tim i kamë thënë ecim përpara se kemi mjaft kohë”, ka shtuar ajo në një intervistë për Syri TV.

Ajo ndër të tjera ka vlerësuar si normale që një qeveri pas një katërvjeçari “të mos mund të zgjojë përsëri të njëjtën entuziazëm”.

“Luftimi i korrupsionit në Kosovë është realitet, nuk është më premtim. Sundimi i ligjit është po ashtu realitet në Kosovë”.

Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 42.30 për qind, apo 8 për qind më pak krahasuar me zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 ku kjo parti kishte grumbulluar plotë 50.28 për qind.