Refuzohet Projektligji i propozuar nga Albulena Haxhiu e VV-së

Projektligji për Pasurimin e Pajustifikueshëm, i cili është propozuar nga deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, është kundërshtuar nga shumica e anëtarëve të Komisionit për Legjislacion, me arsyetimin se një ligj i tillë ndërhyn në Kodin Penal të Kosovës.

Lajme

07/04/2014 17:09

“Në thelb, ky projektligj ka për qëllim justifikimin e pasurisë për të cilën ekziston dyshimi i bazuar se është krijuar apo sajuar mbi bazë kriminale dhe, e dyta, që është shumë e rëndësishme, barra e të sprovuarit bie nën personin e dyshuar për të cilin ekziston dyshimi i bazuar se ka krijuar pasuri përmes aktivitetit kriminal apo cilësdo forme të kundërligjshme. Pra me këtë projektligj i dyshuari duhet t’i sigurojë provat me të cilat arsyetohet prejardhja e pasurisë, po ashtu ky projektligj ka për qëllim hetimin, shqyrtimin dhe vërtetimin e transaksioneve pasurore që do të mund të bëheshin me qëllim të shmangies nga ndjekja për pasurim që është sajuar mbi baza të dyshuara”, ka thënë ajo.

Mirëpo, për një dokument të tillë, kryetari i Komisionit për Legjislacion, Arben Gashi ka thënë se nuk është në harmoni me legjislacionin tjetër që është i hartuar për këtë qëllim, si dhe ka shumë dispozita që bien ndesh me to.

Të njëjtën vërejtje për projektligjin e propozuar nga Haxhiu e ka dhënë edhe Ardian Gjini (AAK), i cili ka theksuar se për dallim nga Kodi Penal, ky projektligj do të sillte arbitraritet në shoqëri.

Edhe Arsim Bajrami (PDK) e ka kundërshtuar këtë propozim të Haxhiut dhe i ka sugjeruar asaj që një projektligj të tillë ta hartojë dhe propozoj kur partia e saj të vijë në pushtet.

Bajrami ka thënë se si ide është e mirë, por ka shtuar se nuk është në agjendën e PDK-së.

Ndërsa, Haxhiu iu ka kundërpërgjigjur Bajramit, duke thënë se një projektligj i tillë është në alternativën qeverisëse të Vetëvendosjes dhe se është propozim i partisë.

“Sa i përket asaj se kur vjen Lëvizja Vetëvendosje në pushtet mendoj se këtë qytetarët e Kosovës e dinë më së miri dhe ata do të vendosin, jo ne këtu, mirëpo ajo çka di unë është se PDK-ja nuk ka me qenë në pushtet më asnjëherë”, ka theksuar ajo.

Sipas Behar Selimit (PDK), Kosova ka mjaft legjislacion sa i përket kësaj fushe, por “një gjë e tillë nuk po shfrytëzohet nga organet e drejtësisë”.

(KosovaPress)