Refuzimi i të vërtetës
Refuzimi i politikës kosovare të bashkëjetojë me të vërtetën për veten, ka marrë përmasa të një autizmi politik, i cili ka pak gjasa të tejkalohet në javët e ardhshme.
Opinion
Politika e sotme kosovare nuk është e gatshme ta pranojë të vërtetën për veten. Si dhe të vërtetën për rajonin, Evropën dhe Botën. Përkundrazi, kjo politikë e kundërshton këtë të vërtetë, duke krijuar, me autorësi të shumta individiale dhe kolektive (megjithëse edhe brenda partive apo entiteteve politike ka prodhim masiv të këtyre ‘të vërtetave’), rrëfimet e shumta të cilat pretendojnë të jenë të vërteta.
E vërteta kryesore, më e rëndësishme, e politikës së sotme kosovare është pafuqia.
Për çdo ditë ne dëgjojmë dhe lexojmë deklarata të shumta politike, të cilat kinse e kanë një mbështetje të mirëfilltë në opinionin publik, apo edhe në vetë politikën kosovare, ndërsa në fund e tëra del vetëm një tjetër spekulim i radhës.
Ta zëmë, askush nuk mund dot ta mëdyshë të vërtetën që për ta bërë të suksesshëm (për ne, për Kosovën), dialogun me autoritetet e Serbisë, në këtë fazën e paralajmëruar si finale, duhet të ndërtohet një konsensus i mirëfilltë politik dhe organizativ. Megjithatë, kjo e vërtetë që në parim përkrahet prej thuaja të gjitha subjekteve relevante politike në vend, në muajtë e kaluar nuk solli një përafrim të pozicioneve të politikanëve dhe subjekteve kryesore në vend. Po prodhohen, palodhshëm, ‘argumente’ nga më të ndryshmet, me qëllim që të pamundësohet në realitet bërja e një Delegacioni të përbashkët kosovar, i cili do të mblidhte kryepolitikanët e vendit, me synim të qartë që dialogun me Serbinë ta përmbyllim, së paku nga perspektiva e jonë dhe nga interesi sipëror i Kosovës, me njohjen formale reciproke në mes të dy shteteve.
Ky zatën do të duhej të ishte caku që supozohet se është një emërtues i të gjithë politikanëve dhe subjekteve politike shqiptare.
Diçka e tillë edhe thuhet, përmes prononcimeve individuale të shumë politikanëve shqiptarë të Kosovës, por kjo është e tëra, së paku për rrethanat e tanishme.
Ky qëndrim ta kujton atë elementin e përbashkët të të gjithë neve, kur theksonim, në trajtim të temës së njohur të Ratifikimit të Marrëveshjes për shenjimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, që Mali i Zi është një shtet mik i joni, që ne nuk kemi kurfarë problemi me Qeverinë e Malit të Zi dhe udhëheqësinë malazeze, por ja që kufiri me këtë shtet është krejtësisht i gabuar.
Dihet sa kohë u dashtë që të mbërrihet tek një dakordim për këtë çështje shumë të rëndësishme.
Sidoqoftë, kush nuk mund ta di sot se a do të gjindet ndonjë zgjidhje (siç u gjet në rastin e Ratifikimit të Marrëveshjes me Malin e Zi, mbi të gjithë falë presionit të jashtëzakonshëm të qytetarëve të rëndomtë të këtij vendi), në ditët dhe javët vijuese, për krijimin e unitetit politik rreth dialogut, apo gjithçka, në këtë aspekt, do të karakterizohet nga një vendnumërim i rrezikshëm, i cili do ta bëjë të pafuqishëm pozicionin negociator të Kosovës në muajtë kur do të intensifikohen përpjekjet ndërkombëtare për bërjen e Marrëveshjes për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Pafuqia negociatore nuk ka si të mos ndikojë në mënyrën se si ne do t’i bëjmë këto bisedime në Bruksel, ndërsa do të jetë njëmend tepër vështirë që edhe rezultati më i mirë i mundshëm i tyre, ta gjejë atë përkrahjen e duhur prej së paku 80 deputetëve në Kuvendin e Kosovës.
E vërteta tjetër të cilën politika kosovare refuzon ta pranojë është që kryerja e bisedimeve me Serbinë është një obligim i pashmangshëm dhe i domosdoshëm i gjithë kësaj politike, dhe që dështimi i jonë që ta kuptojmë këtë gjë, do të ketë pasoja të rënda për stabilitetin afatgjatë të këtij vendi.
Megjithatë, bazuar në çfarë kemi dëgjuar kohëve të fundit në skenën politike të Kosovës, dialogu me Serbinë po del si një mjet për qërimin e hesapeve nga më të ndryshmet, që janë grumbulluar të thuash në njëzet vitet e fundit në Kosovë, ndërsa fitorja në këtë fushë, nuk ka çka i duhet atij individi dhe asaj partie që ka pretendime të këtij lloji.
‘Fitoret’ e këtilla, herët a vonë na bëjnë humbës të gjithëve. Natyrisht, edhe fajtor të gjithëve.
Sidoqoftë, refuzimi i politikës kosovare të bashkëjetojë me të vërtetën për veten, ka marrë përmasa të një autizmi politik, i cili ka fare pak gjasa të tejkalohet në javët e ardhshme.
Pos nëse ndodhë farë mrekullie.