Refugjatët kosovarë demolojnë banesën pasi nuk u jepet azil
Të frustruar se nuk iu dha azili, refugjatët kosovarë demoluan qendrën ku ata ishin strehuar.
Lajme
Kur punëtori social, Navid Hamid kishte hapur derën e strehimores së azilkërkuesve, nuk u kishte besuar syve: gjurmë të një demolimi shiheshin në gjithë hapësirën e qendrës së azilit.
Dy familje, të cilat, nisur nga prognozat që nuk u jepnin aspak gjasa për azil kishin udhëtuar vullnetarisht në Kosovë, kishin shkatërruar gjithçka nga frustrimi. Shtretër të shkatërruar, mobilie që mungojnë, mure të përshkëllirë, ngrohja e lënë ndezur e dritaret hapur, transmeton Albinfo shkrimin e Augsburger Allgemein.
Nga ajo që ka prezantuar përmes fotografive, Hamid tha se deri më tash nuk i ka ndodhur të ketë parë diçka e tillë në qendrat e azilit në regjion.
Në këtë shtëpi ishin strehuar dy familje, gjithsej 10 persona, “pjesëtarë të një pakice etnike në Kosovë”, tha shefi i qendrës, Stark.
Ai, ashtu si edhe Hamid, supozon se shkak i shkatërrimit ka qenë dëshpërimi me prognozën negative të azilit.
Por ata thonë se nuk duhet krijuar paragjykime në bazë të një akti negativ. Shumica e madhe e azilkërkuesve nga Kosova kanë qenë të sjellshëm.
Ndërkohë, ndaj personave që kanë shkaktuar dëmin nuk mund të ndërmerret asgjë konkrete. E vetmja gjë që mund të bëhet është në rast se ata vijnë sërish në Gjermani.