​Haxhijaj me fjalë të mëdha për Majlinda Kelmendin

Ish-sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës, Shasivar Haxhijaj, ka vlerësuar lart rolin e Majlinda Kelmendit në zhvillimin dhe ndërkombëtarizimin e sportit të Kosovës, duke thënë se rezultatet e saj janë përdorur si argument në fushatën për pranimin e Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Në një intervistë për emisionin SportCast, Haxhijaj e ka cilësuar…

Sport

28/10/2026 13:07

Ish-sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës, Shasivar Haxhijaj, ka vlerësuar lart rolin e Majlinda Kelmendit në zhvillimin dhe ndërkombëtarizimin e sportit të Kosovës, duke thënë se rezultatet e saj janë përdorur si argument në fushatën për pranimin e Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

Në një intervistë për emisionin SportCast, Haxhijaj e ka cilësuar Kelmendin si sportisten më elitare në historinë e Kosovës, duke theksuar se ndikimi i saj ka shkuar përtej suksesit në tatami.

“Realisht Majlinda Kelmendi është sportistja më elitare e të gjitha kohërave do të thoja e Kosovës. Sepse motivimin që ia ka dhënë sportistëve të Kosovës është i pakrahasueshëm.”

Haxhijaj ka treguar se rezultatet e xhudistes kosovare janë shfrytëzuar edhe në përpjekjet për njohjen ndërkombëtare të sportit të Kosovës, në kohën kur sportistëve të vendit nuk u lejohej të garonin në arenën ndërkombëtare.

“Për me u pranuar Komiteti Olimpik i Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, ne e kemi përdorur rezultatet e Majlinda Kelmendit si atutë që nuk po na lejohet me marrë pjesë me sportistët tanë.”

Sipas tij, suksesi i Kelmendit ka pasur efekt të jashtëzakonshëm në këtë proces, duke e bërë atë një prej figurave meritore për ndërkombëtarizimin e Komitetit Olimpik të Kosovës dhe të sportit kosovar në përgjithësi.

“Domethënë Majlinda Kelmendi është përdorur, krahas motivimit të sportistëve, edhe për fushatën tonë drejt ndërkombëtarizimit. Që konsideroj që ka pasur efekt të jashtëzakonshëm dhe është një prej meritoreve, edhe pse ajo mundet mos me e ditë këtë gjë, po, tërthorazi një prej meritoreve për ndërkombëtarizimin e Komitetit Olimpik, po edhe krejt sportit të Kosovës.”

Majlinda Kelmendi është një prej emrave më të rëndësishëm në historinë e sportit kosovar, pasi sukseset e saj në xhudo ndihmuan në afirmimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ajo fitoi medaljen e artë olimpike në Lojërat Olimpike Rio 2016, duke u bërë kampionia e parë olimpike në histori të Kosovës.