Receta ditore – Petulla me hudhër
Kjo recetë është mundësia juaj për të provuar diçka ndryshe.
Lifestyle
Petullat me hudhër ju premtojnë një shije totalisht fantastike, transmeton lajmi.net.
Ato janë perfekte për t’u përgatitur në çdo kohë të ditës, dhe receta është shumë e lehtë.
Me pak përbërës dhe në shumë pak kohë ju do të keni në tryezë petullat krokante të ngrohta plot aromë.
Përbërësit
1 vezë
2 filxhanë me kos
125 gr miell
3-4 thelpinj hudhrash
Gjysmë luge çaji me sodë buke
kripë
vaj për skuqje
Përgatitja
Në një tas të madh, rrihni vezën dhe kosin, më pas shtoni dhe pak kripë dhe sodën e bukës.
Pasi të keni situr miellin, hidheni dalëngadalë tek tasi, duke e përzierë gjatë gjithë kohës me ndihmën e një teli kuzhine.
Masën e përzieni derisa të formohet një brumë pak më i trashë se ai i palaçinkave.
Kujdesuni që të mos ju krijohen kokrriza të miellit, gjë që do t’iu ndikojë tek shija e petullave.
Në fund shtoni dhe hudhrat e shtypura dhe përzjejeni masën e brumit në mënyrë që hudhrat të mos ngelin në një vend.
Në në tenxhere pak të thellë hidhni mjaftueshëm vaj për skuqje, dhe vendoseni në zjarr që të ngrohet.
Kini kujdes që vaji të jetë në temperaturën e duhur kur të hidhni brumin. Pasi nëse e shtoni kur vaji të jetë ende i ftohur brumi do të ngjitet në fund të tenxheres.
Me ndihmën e një luge merrni pak nga pak nga brumi i petullave dhe hidheni në vajin e ngrohur. Keni kujdes që t’i skuqni nga të dyja anët njësoj.
Në një pjatë të cekët vendosni disa letra kuzhine kështu do të përthithin vajin e tepërt nga petullat.
Këto petulla serviren të ngrohta dhe me djathë të bardhë apo kaçkavall. Nëse dëshironi mund t’i mbuloni me kos të rrahur me kripë, vaj dhe nenexhik të grirë hollë. /Lajmi.net/