Rebelët në Siri largohen nga rajoni Khan Sheikhoun

Forcat opozitare siriane janë tërhequr nga zona strategjike, Khan Sheikhoun, që gjendet në provincën Idlib.

Bota

20/08/2019 12:47

Forcat qeveritare, të përkrahura nga Rusia janë nisur drejt kësaj zone në javët e fundit, pasi janë bërë rreth pesë vjet, prej kur rebelët kanë udhëhequr atë hapësirë.

Rebelët i kanë thënë BBC-së, se luftëtarët janë tërhequr nga kjo pjesë të martën.

Mirëpo në një deklaratë zyrtare të grupit kryesor militant, Hayat Tahrir al-Sham (HTS), në provincën Idlib, është thënë se forcat vetëm janë “ripozicionuar”.

Vëzhguesi Sirian për të Drejta të Njeriut, me bazë në Britani, ka thënë se kjo zonë ka rënë në duart e forcave qeveritare, përcjell rel.

Khan Sheikhoun ka qenë një pikë e rëndësishme në luftën civile në Siri.

Më 2017 aty është kryer një sulm me armë kimike, i cili ka nxitur nisjen e sulmeve ajrore nga Shtetet e Bashkuara.

Kombet e Bashkuara patën fajësuar Sirinë për kryerje të sulmit kimik.

Konflikti në Siri është duke vazhduar për më shumë se tetë vjet.

Provinca Idlib, bashkë me pjesën veriore Hama dhe Alepon në perëndim, përbëjnë disa nga pikat kyçe të opozitës së armatosur.

Vitin e kaluar, një marrëveshje e arritur në mes të Rusisë dhe Turqisë, e cila mbështet palët opozitare në luftë, ishte supozuar se do të krijonte një zonë ku do të mbroheshin civilët dhe do të kufizonte ofensivën qeveritare.

Megjithatë, forcat qeveritare kanë rritur sulmet e tyre si afër zonës Khan Sheikhoun ashtu edhe në pjesën e afërt të territorit.

Të hënën një konvoj turk është goditur me raketë nga forcat qeveritare siriane, pasi Siria ka pretenduar se ai është nisur drejt zonës Khan Sheikhoun.