Reali shkel Osasunën

Me dy gola të Cristiano Ronaldos, dhe nga një tjetër nga Sergio Ramos dhe Daniel Carvajal, Real Madrid mposhti Osasunën me rezultat të thellë 4:0, në Santiago Bernabeu.

Sport

26/04/2014 22:58

Real Madrid shënoi fitore të lehtë ndaj Osasunës me rezultat 4:0 dhe vazhdoi ndjekjen e liderit Atletico Madrid.

Cristiano Ronaldo shënoi herët në minutën e gjashtë duke kaluar skuadrën e tij në epërsi, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë. Ylli portugez shënoi sërish në minutën e 52-të para se mbrojtësi Sergio Ramos të shtonte golin e tretë pas një ore lojë.

Ronaldo u zëvendësua në minutën e 62-të kur në vend të tij në lojë u inkuadrua Casemiro.

Ndërsa, rezultatin përfundimtar të ndeshjes e vulosi Daniel Carvajal në minutën e 83-të. Reali gjendet në pozitën e dytë me 82 pikë, tri më pak se lideri Atletico, dhe një më shumë se Barcelona.

Gareth Bale nuk ishte fare në ekip, por me siguri se do të jetë pjesë e skuadrës të martën për ndeshjen e kthimit në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Bayern Munichut.