Reali barazon rekordin e klubit në ndeshjet në udhëtim

Real Madridi shënoi një fitore dramatike mbrëmë ndaj Valencias, duke përmbysur rezultatin në fund të ndeshjes me një fitore 2-1 në Mestalla.

Sport

20/09/2021 09:04

Golat për madrilenët u shënuan nga Vinicius Junior (86′) dhe Karim Benzema (88′).

Dyshja sulmuese e konfirmuan formën e tyre të mirë në këtë edicion të ri gjersa tani renditen si dy golashënuesit më të mirë në La Liga këtë sezon, me francezin Benzema që ka regjistruar gjashtë gola, dhe braziliani Vinicius që ka pesë gola.

Sidoqoftë përpos fitores së madhe të arritur mbrëmë, ekipi spanjoll tashmë ka barazuar një rekord të tyre të klubit.

Madrilenët tani nuk kanë humbur asnjë nga 18 ndeshjet e tyre të fundit në udhëtim në La Liga (12 fitore, 6 barazime), duke barazuar ecurinë më të mirë në histori të klubit pas vitit 1997 (11 fitore, 7 barazime) dhe vitit 2016 (13 fitore, 5 barazime).

Ndeshjen e ardhshme në udhëtim, madrilenët do ta luajnë ndaj skuadrës së Espanyol më 3 tetor, gjersa aty do të kërkojnë të vendosin rekordin e klubit për ecurinë më të gjatë pa humbje si mysafir në La Liga në histori të klubit. /Lajmi.net