Real Madrid, superkampion i Evropës

Real Madrid fitoi Superkupën e Evropës pasi mposhti Sevillan me rezultat 2:0 në duelin e zhvilluar në Cardiff. Cristiano Ronaldo ishte yll i ndeshjes. Ai shënoi të dy golat në triumfin e Los Blancos.

Sport

12/08/2014 23:35

Real Madrid triumfoi në Superkupën e Evropës. Los Blancos mposhtën Sevillan me rezultat 2:0 në ballafaqimin e zhvilluar në stadiumin e Cardiffit.

Trajneri Carlo Ancelotti angazhoi në formacionin bazë dy përforcimet e reja Toni Kroos e James Rodriguez, por yll i ndeshjes ishte ai i zakonshmi, Cristiano Ronaldo.

Portugezi kaloi Realin në epërsi pas gjysmë ore lojë kur shënoi nga afërsia pas asistimit të bukur nga Gareth Bale.

Pjesa e parë nuk solli më gola. Kurse, vetëm katër minuta pas intervalit, Ronaldo realizoi sërish duke dyfishuar avantazhin për skuadrën e tij.

Më nuk pati gola dhe Reali me plot meritë fitoi një tjetër trofe të rëndësishëm.