Reagon VV, tentim-arrestimi i Molliqajt u krye me urdhër politik

Për shkak të pjesëmarrjes në një protestë kundër privatizimit në vitin 2012, forca policore  rrethuan të enjten selinë e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, në tentim për ta arrestuar Dardan Molliqajn, sekretar organizativ i Lëvizjes dhe njëherësh shef i shtabit zgjedhor të fushatës.

Lajme

22/05/2014 12:15

Vetëvendosje vlerëson se tentim-arrestimi i sotëm i policisë është me urdhër politik dhe  shpërfaq panikun e ish pushtetarëve nga rënia e tyre e vazhdueshme dhe ngritja e Lëvizjes si alternativë e vetme e qytetarëve për ndryshim në Kosovë.

“Të prirë nga ky panik ata po i keqpërdorin institucionet e sigurisë dhe të gjyqësisë për ta dëmtuar Lëvizjen Vetëvendosje”, thuhet në një komunikatë për media të këtij subjekti politik.

“Ne u bëjmë thirrje këtyre institucioneve që të mos bien pre e urdhrave për motive politike, me qëllim të dëmtimit tonë, sepse Lëvizja Vetëvendosje dhe aktivistët e saj nuk bëjnë veprime kriminale, por aktivitete politike për të mirën e vendit dhe qytetarëve të tij”, thuhet në komunikatë.