Reagimi i Haradinajt për procesin e akreditimit mund t’i kushtojë shtrenjtë arsimit të lartë

Këshilli Shtetëror i Cilësisë dje bëri të ditur se i ka tërhequr akreditimet për tri Universitete Publike.

Lajme

16/07/2019 13:30

KSHC në mbledhjen e 74-t të mbajtur të hënën vendosi në favor të raporteve të ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët rekomanduan që t’u tërhiqet akreditimi institucional për vitin akademik 2019/2020.

Me këtë vendim Universiteti Publik i Mitrovicës, Universiteti i Pejës dhe Universiteti i Prizrenit nuk do të mundë të regjistrojnë studentë të rinj për këtë vit akademik, shkruan lajmi.net.

Ndaj këtij vendimi, reagoi kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, duke e quajtur të papranueshëm.

“Është i papranueshëm vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë për mbylljen e tri universiteteve publike; atij në Pejë, në Mitrovicë dhe në Prizren. Ndaj këtij rasti do të veprojmë menjëherë, duke ndërmarrë hapa konkretë në zgjidhjen e kësaj situate”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Ndërsa, ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi tha se Këshilli nuk ka pasur të drejtë të marrë vendime për shkak se kohë më parë Agjencia Antikorrupsion ka ngritur dyshime për parregullsi në lidhje me përbërjen aktuale të tij.

Njohësi i çështjeve të Arsimit, Dukagjin Pupovci po konsideron se ky vendim është i bazuar, pasi edhe viteve të kaluara universitetet kanë pas problem me përmbushjen e standardeve të cilësisë.

“Sa i përket vendimit ku ka të bëjë me mosakreditimin e universiteteve duhet të lexohet raporti i grupit të ekspertëve për të cilin besoj se askush nuk e ka në dorë përveç Këshillit dhe universiteteve prandaj nuk mund t’i dimë arsyet për momentin. Po supozoj se nga zhvillimet e viteve të kaluara, universitetet kanë pas problem me përmbushjen e standardeve të cilësisë. Konsideroj se është një vendim i cili ka bazë por nëse universitetet konsiderojnë që ka diçka për t’u kontestuar atëherë ekziston mundësia të paraqiten te komisioni i ankesave e më pas edhe në gjykatë”, ka thënë Pupovci për lajmi.net.

Sa i përket reagimit të kryeministrit, ai ka thënë se nuk ka vend për ndërhyrje politike pasi në vitet paraprake, i kanë kushtuar shumë arsimit të lartë.

“Këtu nuk ka vend për ndërhyrje politike sepse ndërhyrjet politike të bëra në vitet e kaluara tanimë i kanë kushtuar shumë arsimit të lartë në Kosovë me përjashtim nga EQAR-i. Tani nëse ndodh që të ketë ndonjë reagim të ngjashëm për ndryshimin e vendimit të Këshillit, atëherë fare lehtë mund të ndodhë që Agjencia e Akreditimit të përjashtohet nga Rrjeti Evropian i Agjencive për Sigurimin e Cilësisë (ENQA) dhe në këtë mënyrë të bëhet një izolim i arsimit të lartë në Kosovë”, është shprehur Pupovci.

Ai ka theksuar se Qeveria duhet të tërhiqet nga çfarëdo lloj qëllimi që të ndërhyjë dhe në vend të saj të ju ofrojë ndihmë universiteteve për t’i përmbushur kushtet që mos të dështojnë edhe një herë në akreditim, pasi kjo sjellë mbylljen e tyre.

Edhe Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka reaguar pas postimit të kryeministrit duke thënë se është e shqetësuar me nivelin e ulët të informimit të kryeministrit dhe zyrës së tij lidhur me çështjen e mosakreditimit institucional të tri universiteteve publike.

Sipas kësaj organizate, veprimet a paralajmëruara të kryeministrit, çfarëdo qofshin ato, do të jenë të paligjshme dhe në shpërputhje me Ligjin për Arsimin e Lartë dhe Ligjin për Agjencitë e Pavarura. /Lajmi.net/