Rasti “Qielli i Thyer”: Një muaj paraburgim për shtatë të dyshuar për trafik droge dhe pastrim parash

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për shtatë persona të dyshuar në rastin e njohur si “Qielli i Thyer”, që lidhet me trafikimin e narkotikëve dhe pastrimin e parave. Vendimi është marrë pas aprovimit të kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të datës 25 qershor 2025, transmeton…

Lajme

25/09/2025 18:20

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për shtatë persona të dyshuar në rastin e njohur si “Qielli i Thyer”, që lidhet me trafikimin e narkotikëve dhe pastrimin e parave.

Vendimi është marrë pas aprovimit të kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të datës 25 qershor 2025, transmeton lajmi.net.

Të dyshuarit A.K., A.Q., A.Q., A.Q., F.M., V.M. dhe E.B. po hetohen për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit të organizuar kriminal”, “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve” si dhe “Shpëlarja e parave”.

Sipas njoftimit të gjykatës, masa e paraburgimit është vlerësuar si e nevojshme për shkak të natyrës së rëndë të veprave për të cilat ata dyshohen, si dhe për shkak të rrezikut që ata të shmangen nga drejtësia, të ndikojnë mbi dëshmitarët apo të pengojnë hetimet duke asgjësuar apo fshehur prova.

Gjykata ka theksuar gjithashtu se lënia e tyre në liri do të rrezikonte rrjedhën normale të procedurës penale, pasi ekziston dyshimi i arsyeshëm se ata mund të bashkëpunojnë me persona të tjerë të implikuar në këto veprime.

Palët e pakënaqura me këtë vendim kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë./lajmi.net/